Mërgata duhet të votojë me përgjegjësi, jo me inat e emocione

- Advertisement -

Kosova është shtëpia jonë e përbashkët. Edhe ata që jetojnë jashtë vendit kanë lidhje të forta me Kosovën: familje, kujtime, prona, dhimbje dhe dashuri për atdheun. Askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë mërgatës ndjenjën për vendin e vet.

Por në këto zgjedhje duhet një reflektim më i thellë.

Ata që jetojnë në Kosovë janë ata që përballen çdo ditë me pasojat e vendimeve politike. Ata jetojnë me çmimet, pagat, papunësinë, shëndetësinë, arsimin, drejtësinë, korrupsionin, mungesën e perspektivës dhe ikjen e të rinjve. Ata e ndjejnë në lëkurë çdo premtim të parealizuar dhe çdo gabim të pushtetit.

Prandaj mërgata duhet të jetë shumë e kujdesshme para se të votojë vetëm nga larg, vetëm nga rrjetet sociale, vetëm nga propaganda apo vetëm nga mllefi ndaj një partie tjetër. Vota nga jashtë nuk duhet të jetë hakmarrje politike. Nuk duhet të jetë tifozëri. Nuk duhet të jetë mbështetje e verbër për askënd.

Mërgata ka dhënë shumë për Kosovën dhe meriton respekt. Por respekti më i madh që mund t’i bëjë Kosovës sot është të dëgjojë zërin e njerëzve që jetojnë aty. Të pyesë familjarët, punëtorët, studentët, bizneset, mjekët, mësuesit dhe të rinjtë që po e mendojnë largimin. Të mos vendosë vetëm nga një fotografi, një video apo një fjalim i bukur.

Kosova nuk ka nevojë për votë emocionale. Ka nevojë për votë të ndërgjegjshme.

Kushdo që voton, nga Kosova apo nga mërgata, duhet ta bëjë këtë për hir të jetës së qytetarëve, jo për hir të liderëve politikë. Duhet të votojë duke menduar për ata që do t’i vuajnë pasojat e qeverisjes çdo ditë.

Këtë herë, më shumë se kurrë, mërgata duhet të mos e shohë votën si betejë partie, por si përgjegjësi ndaj njerëzve që jetojnë në Kosovë. Sepse Kosova nuk shpëtohet me fanatizëm politik. Kosova shpëtohet me arsye, me përgjegjësi dhe me respekt për realitetin e atyre që jetojnë aty.

Aurora Pirraku Nika
Politikane e Moderatëve në Västmanland, Suedi

Psikoterapeute e licencuar, me specializim në KBT, terapi psikodinamike, trauma dhe ACT.

Master i Shkencave në Psikologji
Master i Shkencave në Shkencat e Sjelljes
Master i Shkencave në Lidership
Master i Shkencave në Punë Policore dhe Kriminologji

Të ngjashme

Të fundit