Mediumet spanjolle e japin “verdiktin”e tyre për Gordonin, pas shtatë ndeshjeve të para të anglezit me Barçën

- Advertisement -

Mediat spanjolle e kanë bërë tashmë vlerësimin e tyre për Anthony Gordon pas ndeshjes së tij të shtatë me klubin katalanas.

Gordon nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me Barcelonën, pasi kompletoi transferimin prej 69.3 milionë funtesh nga Newcastle United, para Kupës së Botës.

Nuk iu desh shumë kohë anglezit për të lënë gjurmë te klubi i ri, duke regjistruar katër asistime në katër ndeshjet e tij të para.

Tani, tri ndeshje të La Ligës më vonë, Gordon ka dështuar të regjistrojë ndonjë tjetër kontribut në gol, pavarësisht se bashkëlojtarët e tij po u shkaktojnë makthe mbrojtjeve kundërshtare.

Gordon e nisi ndeshjen në fitoren 4-2 të Barcelonës ndaj Levantes më 13 shtator, me dygolëshin e Lamine Yamalit që i siguroi katalanasve vazhdimësinë e startit perfekt.

Pavarësisht se u la në stol për fitoren 7-2 ndaj Racing Santanderit në mesjavë, Gordon u aktivizua nga trajneri Hansi Flick kundër Sevillas të shtunën (19 shtator), teksa Raphinha shënoi hat-trick për t’u dhënë kampionëve të La Ligës një fitore bindëse 3-1.

Yamal dha dy asistime, ndërsa Gordon pati vështirësi për të lënë gjurmë pozitive në ndeshje, duke humbur dy raste të pastra në fund për të shënuar golin e tij të parë për kampionët e La Ligës.

Forma e fundit e Gordonit shkaktoi një reagim të madh nga mediat spanjolle pas ndeshjes.

“Mundo Deportivo” e përshkroi paraqitjen e Gordonit si të paplotë, duke shkruar: “Është një bekim taktik. Por duke qenë sulmues, siç është, i mungon ajo shkëndijë që e dallon një yll nga një lojtar i mirë. Përfundoi duke luajtur si qendërsulmues dhe humbi një rast për të shënuar, të cilin e kërkoi me më shumë pasion sesa finesë”.

“Barca Universal” i dha Gordonit notën 6.5: “Edhe një herë, Gordon u shfaq i izoluar në krah dhe relativisht larg ndërtimit të aksioneve në qendër. Nuk kompletoi shumë duele një kundër një dhe nuk prodhoi shumë në aspektin e krosimeve. Puna e Gordonit ishte pozitive, por ndikimi i tij ka qenë në rënie në ndeshjet e fundit. Ai madje lëvizi në qendër teksa ndeshja përparonte, por nuk arriti të gjendej në ndonjë situatë premtuese për të shënuar”.

“Barca Blaugranes” i dha Gordonit notën 6/10, duke shpjeguar: “Ai ka filluar të duket paksa njëdimensional tani, punon jashtëzakonisht shumë, por kontributi i tij në fazën finale është paksa i kufizuar dhe ai goditi mbi portë ose humbi disa raste të mira për të shënuar golin e tij të parë për Barçën”.

“Sports Illustrated” i dha një notë pak më të lartë, 7.1, duke shtuar: “Pati disa momente të mira, por po bëhet gjithnjë e më e qartë se ai është tepër i etur për të shënuar golin e tij të parë për Barçën. Humbi një rast të artë dhe u zëvendësua pak më vonë”.

Ndërkohë, “AS” shkroi: “U përpoq, por asgjë nuk doli prej kësaj. Të paktën nuk dorëzohet dhe vazhdon të provojë, por është i pafat para portës. Ai pati dy raste të mëdha kur luajti për disa minuta si një 9 fals, me Laminin dhe Adeyemin si furnizuesit e tij kryesorë”.

“SPORT” i dha anësorit notën 6/10, duke shkruar: “Ai lëvizi në të gjithë vijën e sulmit dhe përfundoi duke luajtur si qendërsulmues. Nuk ishte i mprehtë, siç dëshmohet nga dy goditjet e humbura dhe ka nevojë të shënojë për ta rikthyer vetëbesimin. Megjithatë, ai zinte qendërmbrojtësit, përballoi presionin dhe ofroi disiplinën taktike që kërkon Flicku. Profili i tij plotëson atë të Adeyemit. Barcelona mbetet e pandalshme. Ata dinë të shënojnë gola dhe gjithashtu dinë të vuajnë. Skuadra e Flickut hyn në pushimin ndërkombëtar pa humbur asnjë pikë dhe me ndjesinë se ky sezon mund të jetë shumë special”.

Barcelona do të rikthehet në aksion në shtëpi ndaj Getafes pas pushimit ndërkombëtar./

Të ngjashme

Të fundit