Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së Kuvendit nga legjislatura paraprake, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën konstituive, e cila do të mbahet të enjten, më 6 gusht, me fillim nga ora 10:00, në sallën plenare.
Në ftesën zyrtare, Haxhiu u bën thirrje të gjithë deputetëve të marrin pjesë në seancë, ndërsa njofton se rendi i ditës është bashkëngjitur me dokumentin, raporton IndeksOnline.
Rendi i ditës përfshin katër pika kryesore:
Formimin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve;
Betimin e deputetëve;
Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit;
Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Datën e seancës plenare, Haxhiu e kishte caktuar e kaluar, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes.
“Në mbështetje të nenit 66, paragrafi 3, nenit 84 (pika 3) dhe nenit 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47, 25 janar 2009), si dhe duke marrë parasysh Vendimin e datës 08.07.2026 (Nr. Prot. KQZ: 01/1433-2026) të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 7 qershor 2026, të pranuara nga Zyra e Presidentes më datë 08.07.2026 (Nr. Prot.: 01/013-770-01/26), nxjerr:
VENDIM
1. Mbledhja e Parë e Legjislaturës së Njëmbëdhjetë (XI) të Kuvendit të Republikës së Kosovës, thirret me datën 06.08.2026, në ora 10:00” shkruhet në vendimin e Haxhiut






