Mbyllet përkohësisht pishina e Gërmisë

- Advertisement -

Pishina e Gërmisë do të jetë përkohësisht e mbyllur pas kërkesës së Inspektoratit Sanitar, deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur ndërmarrja “Sport Marketing”, që njoftoi se në mënyrë të rregullt kontrollojnë cilësinë e ujit dhe bëjnë matjen e vlerave përkatëse, në përputhje me standardet dhe procedurat e brendshme të mirëmbajtjes.

“Gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë është e mirë, si në aspektin e cilësisë së ujit, ashtu edhe të ambienteve brenda saj. Megjithatë, duke marrë parasysh rregullat dhe procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike, si dhe për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj qytetarëve, do të presim rezultatet zyrtare nga Instituti para vazhdimit të punës”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.

“Sport Marketing” ka theksuar se do t’i respektojë dhe zbatojë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.

Sipas njoftimit, pas përfundimit të procedurave dhe marrjes së rezultateve zyrtare nga IKSHPK-ja, ndërmarrja do të dalë me njoftim për vazhdimin e punës së Pishinës së Gërmisë.

Të ngjashme

Të fundit