Maresca: Shumëkush e dëshiron një vendim kundër Cityt, ne duhet të mendojmë vetëm për fitoret

- Advertisement -

Trajneri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, ka folur për situatën e komplikuar që po kalon klubi anglez, duke theksuar se skuadra duhet të përqendrohet vetëm te ndeshjet dhe rezultatet në fushën e lojës.

Në prag të përballjes me Paris Saint-Germainin, italiani u ndal edhe te fitorja e rëndësishme ndaj Liverpoolit në “Anfield”, e cila, sipas tij, i ka dhënë më shumë besim ekipit.

“Fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim. Ishte thelbësore të fitonim dhe ta bënim këtë në ‘Anfield’, ndaj Liverpoolit. Kjo i ka dhënë një shtysë të madhe skuadrës. E dimë se situata rreth klubit është paksa e komplikuar, por jemi të qetë, sepse klubi na ka siguruar se gjithçka është në rregull. Ne shqetësohemi vetëm për gjërat që mund t’i kontrollojmë, pra për ndeshjet”, deklaroi Maresca për “Sky Sport”.

I pyetur për përballjen me Paris Saint-Germainin dhe trajnerin Luis Enrique, Maresca vlerësoi forcën e kampionëve në fuqi të Evropës, duke theksuar se për t’i mposhtur ata nevojitet një paraqitje pothuajse e përsosur.

“Luis Enrique është një trajner që përpiqet vazhdimisht të evoluojë dhe të përmirësohet. Mendoj se, ashtu si në finalen e Botërorit të Klubeve, do të na duhet një ndeshje e përsosur për t’i mposhtur. Ata janë kampionët në fuqi të Evropës. Është e vështirë ta fitosh Ligën e Kampionëve qoftë edhe një herë, ndërsa ata e kanë bërë këtë dy herë radhazi. Kjo tregon vlerat e tyre”, u shpreh italiani.

Maresca foli edhe për zhurmën e madhe që po shkakton çështja e Manchester Cityt, duke pranuar se shumë njerëz presin një vendim kundër klubit. Megjithatë, ai theksoi se skuadra nuk duhet të ndikohet nga debatet jashtë fushës.

“E dimë se shumë njerëz po flasin dhe se shumë prej tyre do të dëshironin një vendim kundër klubit. Por nuk kemi ndjesinë se jemi ne kundër gjithë botës. Kjo nuk do të ishte e drejtë, sepse ka njerëz që mendojnë ndryshe”, deklaroi trajneri i Cityt.

Ai shtoi se përgjigjja më e mirë ndaj gjithë kësaj situate është të flasin rezultatet. “Ne mund të përqendrohemi vetëm te fitoret në ndeshje. Ka shumë zhurmë jashtë fushës, ndërsa ne mund të bëjmë zhurmë vetëm duke fituar”, përfundoi Maresca.

Të ngjashme

Të fundit