Maqedonci: Vendimmarrja në operacionet luftarake duhet të mbetet njerëzore

- Advertisement -

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë si folës në panelin “The Battle for Democracy in the AI Age”, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, ku është diskutuar ndikimi i inteligjencës artificiale në fushën e mbrojtjes dhe sfidat që ajo paraqet për demokracinë.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë diskutimit ka trajtuar mundësitë që ofron inteligjenca artificiale, por edhe rreziqet afatgjata që lidhen me zhvillimin e shpejtë të teknologjive ushtarake.

“Në fjalën time trajtova ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e fushës së mbrojtjes, mundësitë që sjell dhe rreziqet afatgjata që lidhen me zhvillimin e shpejtë të teknologjive ushtarake”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se, pavarësisht përdorimit të inteligjencës artificiale në operacionet ushtarake, vendimmarrja duhet të mbetet e lidhur me përgjegjësinë njerëzore.

“Theksova se, edhe kur inteligjenca artificiale përdoret në operacionet luftarake, vendimmarrja duhet ta ruajë dimensionin njerëzor dhe përgjegjësinë përfundimtare duhet ta mbajnë njerëzit”, ka deklaruar ai.

Sipas Maqedoncit, diskutimi është përqendruar gjithashtu në ndikimin e inteligjencës artificiale në vendimmarrjen politike dhe në shoqëri, si dhe në sfidat që zhvillimi i kësaj teknologjie paraqet për funksionimin e demokracisë.

Pjesëmarrja e ministrit në këtë panel është zhvilluar në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, ku diskutohen çështje të sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimeve teknologjike me ndikim në mjedisin ndërkombëtar.

Të ngjashme

Të fundit