Kurti uron 28 Nëntorin: Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë vëllazërore dhe strategjike, 190 marrëveshje bashkëpunimi

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, duke rikujtuar rëndësinë historike të kësaj date për kombin shqiptar dhe rrugëtimin e tij drejt lirisë e pavarësisë.

Në fjalimin e mbajtur në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Kurti ka theksuar se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008 janë ngjarje që përbëjnë themelet e historisë dhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Ai ka rikujtuar edhe periudhat e pushtimit dhe të shtypjes me të cilat është përballur kombi shqiptar, duke përmendur veçanërisht gjenocidin e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti i ka cilësuar ato si marrëdhënie vëllazërore dhe strategjike, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.

“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se bashkëpunimi institucional ndërmjet dy vendeve është konkretizuar përmes 190 marrëveshjeve, të cilat janë nënshkruar, zbatuar ose janë aktualisht në zbatim.

Sipas tij, këto marrëveshje përfshijnë fusha të rëndësishme si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.

Në fjalimin e tij, kryeministri ka vënë në pah edhe rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar synimin e vendit për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Në përmbyllje të fjalimit, Kurti ka rikujtuar ngjarjet kryesore të historisë kombëtare, duke përmendur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kongresin e Manastirit dhe 28 Nëntorin e vitit 1912, si dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të komandantit Adem Jashari.

“Janë dhe do të jenë përgjithmonë themelet e kombit tonë, që në shekullin XXI e më tej, do të na bëjnë gjithnjë krenarë e të gëzuar, por edhe përherë të na mbushin me përgjegjësi e detyra”, ka theksuar Kurti.

Ai ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarët kudo që jetojnë dhe miqtë ndërkombëtarë për Ditën e Flamurit, duke nënvizuar se kjo datë simbolizon vullnetin e kombit për mëvetësi, liri dhe pavarësi.

Të ngjashme

Të fundit