Në një reportazh të publikuar më 2 shkurt 1999, mediumi gjerman Der Spiegel i kushtoi vëmendje luftës në Kosovë, duke intervistuar ndër të tjerë edhe komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakun.
“Kam një familje dhe pesë fëmijë – do t’i sakrifikoja të gjithë për pavarësinë e Kosovës”, kishte deklaruar Lushtaku për gazetarin gjerman.
Sipas reportazhit, gazetari ndodhej në një automjet me Lushtakun në momentin kur përleshjet ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe ishin intensifikuar.
“Ai po shkonte drejt vijës së frontit pranë Oshlanit. Me njërën dorë drejtonte xhipin e tij përgjatë kodrave të mbuluara me borë, ndërsa në tjetrën mbante pushkën”, shkruante mediumi gjerman.
Artikulli përshkruante edhe gjendjen në terren, duke theksuar se shtabi i UÇK-së në Oshlan ishte vendosur në një shtëpi të braktisur fshati.
“Pesë të plagosur nga luftimet e ditëve të fundit po trajtoheshin nga një ekip i Médecins Sans Frontières. Asnjë spital zyrtar në Kosovë nuk do t’u garantonte mbrojtje luftëtarëve të UÇK-së”, citohej të kishte thënë një rojë i vendosur para shtëpisë.






