Burim Ramadani, në emisionin “Politiko”, ka kritikuar gjendjen politike dhe institucionale në vend, duke thënë se qytetarët e Kosovës sot po jetojnë në pasiguri dhe me fokus vetëm te mbijetesa ditore.
Sipas Ramadanit, debati i vazhdueshëm politik për funksionalitetin e shtetit po tregon se institucionet nuk kanë arritur t’u japin qytetarëve siguri për të ardhmen e tyre.
“Qytetari sot në Kosovë jeton me logjikën e mbijetesës ditore. Nuk mendon për zhvillimin e vet, për familjen apo për të ardhmen e fëmijëve të tij në pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme”, deklaroi Ramadani.
Ai tha se pas katër vitesh qeverisje, Kosova do të duhej të kishte institucione më funksionale dhe një perspektivë më të qartë për qytetarët.
Ramadani shtoi se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi klasën politike, ndërsa qytetarët, sipas tij, po e ndjejnë çdo ditë pasojën e mungesës së zhvillimit dhe planifikimit afatgjatë.






