Kryetari i PDK-së Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 ka folur për procesin zgjedhor dhe formimin e institucioneve pas zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rezultatit dhe fillimit të menjëhershëm të bisedimeve politike për krijimin e institucioneve.
Ai tha se diaspora ka preferenca të ndryshme në votim, por sipas tij, respekti për shtetin dhe institucionet mbetet i padiskutueshëm.
“Diaspora jonë sa i përket votës ka preferenca të tjera, por sa i përket respektit për vendin dhe institucionet nuk ka dilema për këtë”, tha Hamza.
Ai shtoi se procesi zgjedhor duhet të menaxhohet mirë dhe se pas shpalljes së rezultateve duhet të fillojnë menjëherë negociatat për formimin e institucioneve.
“Zgjedhjet duhet me qenë të organizuara mirë, secili me pranu rezultatin. Ditën e nesërme pas zgjedhjeve duhet me fillu bisedat për krijimin e institucioneve, për presidentin, qeverinë dhe Kuvendin. Marrëveshja politike duhet me e përfshi komplet strukturën e shtetit”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se pas 8 qershorit mund të hapet rruga për ndryshime në qeverisje.
“Më 8 qershor ekziston mundësia që PDK të udhëheqë qeverinë e ardhshme”, deklaroi ai.






