Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka bërë thirrje që Kosova të përgatitet në mënyrë strategjike për pasojat e mundshme në rast të përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme, duke kërkuar që shteti të sigurojë rezerva të naftës dhe ushqime strategjike.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës tha se zhvillimet e tilla nuk duhen parë si çështje të largëta, pasi pasojat e tyre mund të përhapen shpejt dhe të godasin edhe rajonin.
“Kjo s’është lojë. Nëse nis një luftë që mund të shpërndahet si radiacion, duhet të përgatitemi”, tha Kelmendi.
Duke kujtuar krizën globale të vitit 1973, ai tha se situata të tilla mund të ndikojnë drejtpërdrejt në furnizim dhe në funksionimin normal të tregut.
“Unë e mbaj mend, në vitin 1973 lëvizja me makina ka qenë me numër çift e tek, s’ka pasur kërkesa dhe tregu ka qenë i zbrazët”, u shpreh ai.
Kelmendi theksoi se Kosova duhet të mendojë për rezerva shtetërore të naftës, duke parë edhe gjendjen në vendet e rajonit.
“Nëse shohim shtetet për rreth, Mali i Zi s’ka karburant, Shqipëria ka disa rezerva, Serbia ka, Greqia s’ka. Kosova duhet t’i ketë rezervat e naftës”, tha ai.
Sipas tij, përgatitja nuk duhet të shihet si përpjekje për të frikësuar qytetarët, por si nevojë për planifikim strategjik nga ana e institucioneve.
“S’po them me e frigu popullin, por duhet të përgatitemi strategjikisht, me pasur ushqime strategjike të plota, në mënyrë që ato të mund të shpenzohen kurdo”, deklaroi Kelmendi.
Ai i bëri thirrje qeverisë që t’i dëgjojë këto paralajmërime dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të rritur sigurinë e furnizimit në rast të thellimit të krizave ndërkombëtare.






