Shahini: Kriza ekonomike ka kapluar vendin, qeveria s’po bën asgjë

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se krizat në Kosovë janë në vazhdimësi, që disa vite dhe për të ndalur rritjen e çmimeve nuk po ndërmerret asgjë.

Sipas tij, qeveria nuk po ndërmerr asgjë për ta ndaluar këtë rritje të çmimeve

“Krizat në Kosovë nuk janë të përkohshme, janë permanente dhe në vazhdimësi tash e shumë vite me radhë. Inflacioni do të na përcjellë, rritja ekonomike në rënie, aktivitetet ekonomike të bizneseve në rënie, investitorët e huaj po na ikin jashtë dhe është krijuar në Kosovë një rritje e çmimeve dhe po vazhdon kjo rritje edhe tash kur edhe rritja e energjisë është plafon, bashkërisht me çmimet e derivateve, që e kanë rritur koston e prodhimit, të transportit dhe gjithë shërbimeve që i kemi në Kosovë për konsumatorët. Qeveria nuk është duke ndërmarrë asnjë hap për të ndalur këtë rritje të çmimeve”, ka thënë ai për Expose të Gazeta Blic.

Krahas rritjes së çmimeve të produkteve esenciale, rritje pati çmimi i naftës, për shkak të zhvillimeve në botë ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit, që bëri që të rritet çmimi i naftës në bursë.

Shahini potencon se tregtarët kosovarë nuk e diktojnë çmimin e naftës, por ata e shesin ashtu siç e blejnë, sipas çmimit në brusë.

“Çmimi i derivateve varet nga tregjet e huaja, tregtarët kosovarë nuk mund t’i diktojnë çmimet, ata janë importues të rregullt ditor dhe në bazë të rritjeve të çmimit në bursa, rritet edhe në Kosovë. Rritja e çmimeve për derivatet për 60-70 për qind, në krahasim me një periudhë të mëhershme kur derivatet e naftës kanë qenë 1.10, kjo tregon se tregtarët kosovarë kur blejnë lirë, shesin lirë, kur blejnë shtrenjtë, shesin shtrenjtë”, ka theksuar ai.

Sipas Shahinit, qeveria duhet të ndërmarrë masa varësisht nga kriza, pasi nëse vazhdon kështu, do të rritet varfëria dhe vet uria në vend.

“Qeveria duhet të ndërmarrë masa të përkohshme, nëse është kriza e përkohshme dhe masa të përhershme, nëse kriza është e përhershme. Dhe këto masa do të duhej të jenë të harmonizuara me komunitetin e biznesit, me faktorin vendor, opozitën, në mënyrë që të ndërhyhet edhe në politika fiskale, në mënyrë që të mbështetet qytetari e biznesi për një kohë të caktuar. Dhe nëse kjo, do të vazhdojë, atëherë ne do të rrezikojmë që të rritet varfëria më shumë ose të rritet vet uria, për shkak se në Kosovë e dimë që shumë kosovarë jetojnë në varfëri të skajshme dhe shumë kosovarë që nuk kanë mundësi për të ushqyer tri racione, e kanë reduktuar në dy dhe atë racione të dobëta, të kufizuara dhe kjo do të çojë edhe më tepër qytetarin dhe Kosovën në varfëri të skajshme”, ka potencuar ai.

Ai tregon dhe se pse qeveria nuk po bën asgjë për krizën ekonomike që ka kapluar vendin.

“Sepse ne vlerësojmë punën, veprimet dhe jo fjalët. Nëse flasim për premtime, ligjërata, të thëna, kemi të dëgjojmë shumë të mira por nëse flasim për veprime konkrete, ato po mungojnë, sidomos në këtë kohë krize sidomos në kohën kur veprimet duhet të maten me mirëqenie qytetare. Tash e një muaj sa ne kemi rritje të çmimeve, ne ende nuk kemi asnjë veprim konkret të qeverisë për të përballuar krizën qytetarët më lehtë”, ka deklaruar Agim Shahini./Gazeta Blic/

Të ngjashme

Të fundit