Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti në një intervistë në EURO n’T7 ka thënë se Kosova, sikur gjitha vendet e tjera në botë, është prekur nga krizat ekonomike, si kjo e fundit, por që vendi ynë si vend në zhvillim preket më shumë.
Sipas Hotit, dallimi pastaj me Kosovën dhe vendet e tjera është se këto të fundit ndërmarrin masa për të reduktuar kostot e shpenzimeve të qytetarëve dhe bizneseve.
“Në rastin tonë është për keqardhje jo vetëm në krizën e fundit, por edhe më herët në rastin e energjisë, institucionet e vendit nuk kanë qasje serioze sistematike për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që të përballen me këtë situatë. Është paradoksale sepse hapësira e mundshme për t’u marrë me këtë krizë ekziston. Në rastin konkret kur kemi të bëjmë me rritjen e çmimeve të naftës, hapësira e qeverisë për t’u marrë me uljen e çmimeve është e konsiderueshme. Akciza prej 36 cent dhe TVSH prej 18%, e cila është e madhe në mbledhje për shkak të rritjes së çmimit për litër, është dashur që së paku të ulet akciza që të mirëmbahet çmimi i naftës dhe ndërkohë të hyrat e qeverisë nuk bien sepse ato janë më të mëdha për shkak të rritjes së çmimit dhe marrjes së TVSH-së, pra hapësira fiskale ekziston, por nuk ekziston vullneti i kësaj qeverie”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se qeveria Kurti edhe në krizën e mëhershme të energjisë nuk ka marrë masa adekuate, por është koncentruar në ofrimin e ndihmave të njëhershme, të cilat nuk i japin aspak zgjidhje problemit, ndërkohë ka folur edhe për masat e menjëhershme që qeveria ka mundur të ndërmarrë, por që nuk ka pasur vullnet.
“Një masë e menjëhershme që kanë mundur të ndërmarrin, ashtu siç edhe e kemi propozuar ne, ishte ulja proporcionale e akcizës me rritjen e çmimit të naftës, duke u rritur çmimi i naftës qeveria mbledh më shumë të hyra nga TVSH. Ajo çka është duke ndodhur tani është se krejt barra e rritjes së çmimeve po u bartet qytetarëve, përveç se qeveria e kufizon marzhën e fitimit për bizneset”, ka shtuar Hoti.






