Shkruan: Bedri Nika
Kur një ide është e fortë, ajo krijon jehonë.
Kur një subjekt ka qëndrim, ka edhe kundërshtarë.
Por kur dobësohet, hesht edhe zhurma. Armiqtë bëhen të butë – ose më saktë, të heshtur.
Sepse, siç na mëson historia njerëzore dhe ajo politike, heshtja nuk është gjithmonë paqe – nganjëherë është strategji.
Në kohë dobësie, kundërshtarët shfaqen si “mbështetës”.
Ata bëhen më të qetë, më “këshillues”, më të përkushtuar se vetë mbrojtësit e vërtetë.
Por pikërisht aty qëndron rreziku më i madh.
Një mohues i flaktë i fesë, kur konvertohet, shpesh bëhet më ekstrem se vetë besimtarët e hershëm.
Sepse nuk është duke mbrojtur fenë – është duke ndërtuar veten përmes fesë.
Ashtu edhe në politikë:
Kritikët e djeshëm, sot bëhen më militantë se vetë besnikët.
Më të zhurmshëm. Më të etshëm për protagonizëm.
Jo për ta ngritur idenë, por për t’u dukur vetë të rëndësishëm në hijen e saj.
E përmendin LDK-në me zjarr, jo nga dashuria – por nga nevoja për t’u përmendur.
Sepse LDK është emër që jep adrenalinë.
Një shkollë politike që nuk mund ta anashkalosh – edhe kur e sulmon.
Një temë që i josh të gjithë – edhe ata që nuk e kuptojnë dot.
Disa merren me të për të mos u harruar.
Disa për të relativizuar emrin e saj.
Por të gjithë – absolutisht të gjithë – e dinë thellë brenda vetes se LDK është standardi.
Është brendi më i qëndrueshëm politik që ka njohur ky vend i quajtur Kosovë.
⸻
Ne jemi sot partia e tretë për nga numrat.
Por LDK nuk është vetëm një numër.
LDK është themeli i Republikës.
Është simboli i kulturës politike dhe shtetformuese.
Është kujtesa e popullit tonë në udhën e shtetndërtimit.
Nuk ka nevojë të bërtasë – sepse ka themel.
Nuk ka nevojë të shfaqet – sepse ka rrënjë.
Dhe këtë e ndjejnë më shumë ata që përpiqen çdo ditë të duken të rëndësishëm, përmes emrit të saj.
⸻
Në fund të ditës, LDK është emër.
Por jo thjesht emër – është një identitet që mishëron të djathtën, demokracinë dhe vlerat më të larta të një shteti.
LDK ka një kryetar.
LDK ka një kryesi.
LDK ka një grup parlamentar.
Dhe pikërisht për këtë, do t’i bëjë të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se mund ta gjunjëzojnë.
Sepse LDK nuk gjunjëzohet – LDK ringrihet!
⸻
Zoti e bekoftë LDK-në!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë SHBA-në dhe miqtë e Kosovës!