Latifi: Ka vetëm një mënyrë për të pasur sukses kundër Serbisë – t’i ndalojmë rrymat vahabiste e salafiste

- Advertisement -

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar sërish në lidhje me dokumentin e quajtur “Top sekret 2”, i cili u gjet në telefonin e të akuzuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, e ku përmendej përdorimi i parave nga ambasadat islamike në Beograd për ndërtimin e xhamive në Kosovë.

Latifi shkroi për atë që e quan “instrumentalizim politik të islamit” duke argumentuar lidhjen e kësaj me përpjekjet historike për dëmtimin e çështjes kombëtare shqiptare.

Ai ka sjellë në vëmendje periudhën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, duke përmendur ish-kryeministrin serb Vladan Gjorgjeviq dhe librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, botuar në Leipzig më 1913. Sipas Latifit, një prej argumenteve të përdorura nga Gjorgjeviqi për ta kundërshtuar krijimin e shtetit shqiptar ishte paraqitja e tij si një “shtet muhamedan” brenda Europës së krishterë.

Në pjesën e tretë të shkrimit, Latifi e lidh argumentin e tij me situatën aktuale dhe me shtetin e Kosovës.

“Kohët kanë ndryshuar dhe tani nuk është në çështje integriteti i shtetit shqiptar, as dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, i cili u provua por dështoi në vitin 1999. Tani çështja është të prodhohen kushtet për dështimin e shtetit të Kosovës, i krijuar e mbështetur nga fuqitë perëndimore”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Latifi argumenton se një mënyrë për ta dëmtuar mbështetjen perëndimore për Kosovën është dëmtimi i kredencialeve të saj europiane, përmes paraqitjes së saj si një shtet me popullatë të islamizuar dhe me institucione të ndikuara nga islami politik.

Profesori i Filozofisë paralajmëron se një imazh i tillë, sipas tij, mund të shfrytëzohet nga Serbia, veçanërisht në një kohë kur e djathta ekstreme po fiton terren në vende të ndryshme perëndimore.

“Në një Perëndim ku e djathta ekstreme përditë e më shumë po fiton terren politik e social, një imazh islamist për shtetin e Kosovës është dhurata më e madhe që mund t’i bëhet Serbisë dhe aspiratave të saj për ta rikthyer Kosovën”, ka shkruar Latifi.

Postimi i Blerim Latifit:

Shqiptarët dhe instrumentalizimi politik i islamit

I

Kur Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912 dhe fuqitë europiane po diskutonin se a duhej pranuar si shtet i ri në Europë, një kryeministër serb i asaj kohe, Vladan Gjorgjević, do të ulej dhe brenda një kohe të shkurtër do të shkruante një libër me titull Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha (Die Albanesen und die Großmächte), botuar në Leipzig më 1913.

Libri u adresohej këtyre fuqive dhe kishte për qëllim që diplomatët e tyre t’i bindte se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre të pavarur. Një prej “argumenteve” që Gjorgjević përdori në atë libër ishte se fuqitë e mëdha do të bënin gabim nëse lejonin që brenda Europës së krishterë të formohej një “shtet muhamedan”.

Rebelimi islamik i Haxhi Qamilit, dy vite më vonë, do të nxitej për të konfirmuar tezën e kryeministrit serb, i cili aspironte për një dalje në Adriatik të shtetit të tij. Që kjo të bëhej e mundur, Shqipëria nuk duhej të ekzistonte.

Këtu shfaqet një nga format e para të instrumentalizimit politik të fesë islame në funksion të goditjes së çështjes kombëtare shqiptare: shqiptari nuk paraqitej më si pjesëtar i një kombi që kërkonte shtetin e vet, por si musliman, dhe për rrjedhojë krijimi i shtetit shqiptar mund të paraqitej si një problem për Europën e krishterë.

II

Disa vite më vonë, në Konferencën e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur erdhi çështja e klauzolave të marrëveshjes që kishin të bënin me statusin e pakicave etnike në shtetet që kishin fituar luftën, kryeministri serb Nikolla Pashić iu afrua aleatit të tij, kryeministrit francez Klemanso, dhe i kërkoi atij që Franca të pranonte planin e Serbisë për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia. Edhe pse kishin qenë aleatë të ngushtë gjatë luftës, Klemanso e kundërshtoi propozimin e Pashićit.

Atëherë ky i fundit do të ndryshonte strategjinë: që shqiptarët e Kosovës të mos bëheshin çështje ndërkombëtare, ata duhej të paraqiteshin jo si pakicë etnike shqiptare, por si pakicë fetare muslimane. Kështu, nën termin “pakicë muslimane”, largohej problematizimi ndërkombëtar i shtypjes brutale që u bëhej shqiptarëve të Kosovës dhe njëkohësisht vazhdohej shkombëtarizimi i tyre. Për këtë qëllim Pashići krijoi Xhemijetin, Partinë e Muslimanëve në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene, me seli në Shkup.

Pra, kemi dy pika kritike historike, të ndara nga disa vite, por që mund të lexohen si pjesë e së njëjtës linjë politike: në rastin e parë, identiteti fetar i shqiptarëve përdorej për të vënë në dyshim legjitimitetin europian të shtetit shqiptar; në rastin e dytë, i njëjti identitet fetar përdorej për ta zbehur karakterin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Në të dyja rastet, shqiptari duhej të paraqitej jo para së gjithash si shqiptar, por si musliman. Feja shndërrohej kështu nga një element identitar në një kategori politike, e cila mund të përdorej për të goditur interesat kombëtare shqiptare.
Po të mos kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, sot çështja shqiptare në Kosovë do të ishte e njëjtë si çështja çame në Greqi.

III

Kohët kanë ndryshuar dhe tani nuk është në çështje integriteti i shtetit shqiptar, as dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, i cili u provua por dështoi në vitin 1999.

Tani çështja është të prodhohen kushtet për dështimin e shtetit të Kosovës, i krijuar e mbështetur nga fuqitë perëndimore. Vetëm nëse dështon ky shtet, atëherë aspiratat serbe për ta rimarrë Kosovën mund të rikthehen në tavolinë.

Dhe ky dështim i shtetit të Kosovës mund të rezultojë, mes tjerash, edhe nga humbja e kapitalit më të madh që e mban këtë shtet: njohja dhe mbështetja perëndimore.
E si t’i shkatërrohet ky kapital Kosovës?

Duke ia dëmtuar kredencialet europiane këtij shteti. Duke e paraqitur atë si një shtet me një popullatë të islamizuar, me një rini të radikalizuar e institucione të ndikuara nga islami politik.
Një shtet me parime europiane të sekularitetit, të sundimit të ligjit, të demokracisë e të drejtave të njeriut nuk mund të qëndrojë dot mbi një shoqëri të islamizuar sipas modelit të vahabizmit e Muslim Brotherhood. Ai shembet nga vetë baza e cila e kundërshton.

Tjetra: në një Perëndim ku e djathta ekstreme përditë e më shumë po fiton terren politik e social, një imazh islamist për shtetin e Kosovës është dhurata më e madhe që mund t’i bëhet Serbisë dhe aspiratave të saj për ta rikthyer Kosovën.

Pra, e gjitha ka të bëjë me luftën për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë luftë që dikujt i qenka tekur ta bëjë kundër Islamit, nga urrejtja ndaj tij si fe.

Serbia po përdor formulat e vjetra të Gjorgjevićit e Pashićit në këtë luftë, ndërsa ne, nëse e kemi seriozisht ruajtjen e këtij shteti, duhet të bëjmë që këto metoda të dështojnë. Dhe ka vetëm një rrugë për t’ia dalë me sukses në këtë punë: të ndalojmë rrymat vahabiste, salafiste e ato me bazë Muslim Brotherhood që të influencojnë jetën tonë politike, institucionet tona, fëmijët e të rinjtë tanë, shoqërinë tonë në përgjithësi.

Të ngjashme

Të fundit