Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë, sot rreth orës 01:30 min.
Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Brenda afatit ligjor, prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.






