Kur nis procesi mësimor? Prindërit të indinjuar me mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore

- Advertisement -
Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i procesit të ri mësimor në Kosovë, nxënësit dhe prindërit ende janë në “terr informativ” për ndryshimet eventuale që mund ta përcjellin nisjen e vitit të ri shkollor.

Madje, një pjesë e tyre janë vënë në lajthitje për datën e fillimit të procesit mësimor, pasi që në rrjete sociale kanë qarkulluar disa informata se mësimi  është shtyrë.

Në ato postime, është thënë se mësimi në Kosovë sivjet nis më 15 shtator, për çka shumë prindër janë shprehur të shqetësuar, duke adresuar në redaksinë e Klankosova.tv pakënaqësi lidhur me mungesën e informatave.

Por, Klankosova.tv ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, me ç’rast zyrtarë të saj kanë konfirmuar se mësimi nis më 1 shtator.

Sipas tyre, kjo vlen për të gjitha nivelet shkollore në mbarë vendin, përjashtuar shkollat që eventualisht mund të ndodhen në proces renovimi.

Përveç kësaj, prindërit janë shprehur të indinjuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës sa i përket vazhdimit të formës së njëjtë për subvencionimin e teksteve shkollore.

Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka reaguar duke thënë se vërejtjet e tyre nuk janë marrë aspak parasysh, për çka ka hedhur kritika ndaj dikasterit qeveritar.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që nga fillimi: librat shkollorë duhet të sigurohen dhe të shpërndahen përmes shkollave, duke qenë të unifikuar nga një shtëpi botuese e përzgjedhur në nivel qendror. Nuk është e drejtë që zgjedhja e teksteve të mbetet në kompetencën e secilës shkollë apo klase, pasi kjo ka sjellë dallime, paqartësi dhe vështirësi në procesin mësimor”, thuhet në reagim njofton Klankosova.tv.

“Përvoja e vitit të kaluar dëshmoi qartë mangësitë e sistemit aktual. Shumë nxënës e kaluan një pjesë të madhe, madje edhe tërë vitin shkollor, pa u pajisur me të gjitha tekstet e nevojshme. Arsyet ishin të ndryshme: mungesa e librave në treg, vonesat në furnizim, si dhe pamundësia e shumë prindërve për t’i siguruar librat në kohën e duhur. Në disa raste, brenda së njëjtës klasë, nxënësit kanë përdorur libra të ndryshëm për të njëjtën lëndë, duke krijuar vështirësi të panevojshme për mësimdhënësit dhe nxënësit”.

“Një tjetër kërkesë e vazhdueshme e Këshillit të Prindërve ka qenë përfshirja në skemën e subvencionimit edhe e nxënësve të shkollave të mesme. Nuk është e pranueshme që pikërisht kjo kategori të mbetet jashtë mbështetjes institucionale. Sot subvencionohen kategori të ndryshme të qytetarëve, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme vazhdojnë të përballojnë vetë të gjitha shpenzimet për tekstet mësimore. Kjo përbën një pabarazi që duhet të korrigjohet”.

“Përveç kostos së librave, prindërit përballen çdo vit me shpenzime shtesë për transport, me radhë të gjata në librari, me mungesë tekstesh dhe me humbje të konsiderueshme kohe. Një sistem i centralizuar i furnizimit me libra do t’i eliminonte këto probleme dhe do të siguronte që çdo nxënës ta fillojë vitin shkollor me të gjitha tekstet e nevojshme”, thuhet tutje në reagim.

“Këshilli i Prindërve u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishqyrtojnë këtë çështje me seriozitet, të dëgjojnë zërin e prindërve dhe të ndërmarrin hapa konkretë për krijimin e një sistemi më të drejtë, më funksional dhe të barabartë për të gjithë nxënësit”.

Të ngjashme

Të fundit