Manchester City ka konfirmuar largimin e mesfushorit Tijjani Reijnders, i cili ka kompletuar transferimin te Al-Qadsiah në Ligën Premier të Arabisë Saudite.
Reijnders iu bashkua Manchester Cityt vetëm verën e kaluar nga Milani për rreth 46.5 milionë funte (54.2 milionë euro), por pas vetëm një sezoni në Angli ka vendosur të largohet dhe të vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite.
28-vjeçari zhvilloi 50 paraqitje në të gjitha garat me Cityn, 34 prej të cilave si titullar. Ai shënoi shtatë gola dhe dhuroi shtatë asistime.
Gjatë sezonit të tij të vetëm në Manchester, reprezentuesi i Holandës fitoi Kupën EFL dhe FA Cup me klubin, por nuk u aktivizua në asnjërën prej këtyre dy finaleve, duke qëndruar në bankën e rezervistëve.
Pas konfirmimit të largimit, Reijnders falënderoi klubin, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët e Manchester Cityt për periudhën e kaluar në “Etihad”.
“Kam qenë jashtëzakonisht i privilegjuar që kam luajtur për Manchester Cityn dhe e kam shijuar çdo minutë të kohës sime këtu”, deklaroi Reijnders.
“Që nga momenti kur mbërrita, të gjithë në klub – lojtarët, trajnerët dhe stafi – më bënë të ndihesha i mirëpritur dhe pjesë e familjes së Manchester Cityt.”
“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë tifozët e Cityt, të cilët ishin shumë të ngrohtë dhe mbështetës ndaj meje dhe familjes sime.”
“Të isha pjesë e skuadrës që fitoi dy trofe kaq të veçantë sezonin e kaluar ishte një përvojë dhe arritje e jashtëzakonshme, të cilën do ta kujtoj përgjithmonë.”
“Mund të jem duke u larguar, por Manchester City do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”.






