Ku do të investohen 206.4 milionë eurot e BE-së?

- Advertisement -

Bashkimi Evropian ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026–2027, me një vlerë prej 180.5 milionë euro.

Përveç kësaj, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) janë siguruar edhe tri grante shtesë në vlerë prej 25.9 milionë euro, duke e çuar mbështetjen totale në 206.4 milionë euro.

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, bëri të ditur se këto fonde do të investohen në sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit.

Sipas tij, fondet e IPA 2026–2027 do të mbështesin projekte në fushën e mjedisit dhe veprimit klimatik, energjisë, migrimit dhe menaxhimit të kufijve, përafrimit me Bashkimin Evropian dhe qeverisjes së mirë, konkurrueshmërisë, si dhe sundimit të ligjit.

Rreth gjysma e mjeteve financiare do të destinohen për investime infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për grante për institucionet dhe asistencë teknike.

Ndërkaq, tri grantet e miratuara në kuadër të WBIF, me vlerë 25.9 milionë euro, do të financojnë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me BERZH-in, zhvillimin e hidrosistemit Ibër-Lepenc, si dhe segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë.

Sipas Zulfajt, këto investime do të forcojnë kapacitetet institucionale të Kosovës, do të përshpejtojnë përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Të ngjashme

Të fundit