Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, lidhur me mbështetjen financiare për komunat.
Krasniqi ka thënë se në mungesë të fakteve mbeten vetëm akuzat, duke kundërshtuar pretendimet se qeveria ua ka marrë komunave mjetet financiare.
Sipas Krasniqit, vendimi për orientimin e 25 për qind të mjeteve të mbetura në një program tjetër investimesh është marrë duke u bazuar në legjislacionin për menaxhimin e financave publike.
“Le të jemi të qartë: këto mjete nuk u zhdukën dhe nuk u morën nga ministria. Ato përsëri u kthyen në komuna, përmes projekteve investuese që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve. Sepse kështu e thotë ligji dhe kështu ka ndodhur” shkruan Krasniqi.
Ai madje thotë se Asociacioni duhet të jetë zë i të gjitha komunave, dhe jo vetëm disa prej tyre.
Ky është postimi i plotë i Elbert Krasniqit:
Kur mungojnë faktet, mbeten vetëm akuzat. Kështu paska vepruar Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Që në krye të herës, më duhet ta përsëris një fakt esencial sa i përket mbështetjes për komunat, të cilin e tha ministri Murati para disa ditësh: 546 milionë euro e kemi gjetur në vitin 2021 buxhetin e ndarë për komunat, në 907 milionë euro do të shkojë në vitin 2027. Dhe kjo do të thotë rritje prej 66%.
- Në anën tjetër, është e vështirë të pretendohet se mbrohen interesat e komunave nga dikush që nuk e kupton as legjislacionin që rregullon financat publike dhe funksionimin e pushtetit lokal. Para se të akuzohet Qeveria se “po ua merr paratë komunave”, duhet të theksohet se këto mjete kanë shkuar të gjitha në komuna. Pushteti lokal nuk mbrohet duke krijuar panik, e aq më pak duke dezinformuar.
Le të jemi të qartë: këto mjete nuk u zhdukën dhe nuk u morën nga ministria. Ato përsëri u kthyen në komuna, përmes projekteve investuese që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve. Sepse kështu e thotë ligji dhe kështu ka ndodhur.
Meqenëse bëhej fjalë kryesisht për komuna me kapacitete më të kufizuara njerëzore dhe administrative, ekzistonte rreziku që komunat përfituese të mos arrinin t’i shpenzonin të gjitha fondet brenda afateve të përcaktuara. Për këtë arsye, Qeveria, duke u mbështetur në legjislacionin për menaxhimin e financave publike, vendosi që 25% e mjeteve të mbetura të orientoheshin në një program tjetër investimesh.
Asociacioni duhet të jetë zë i të gjitha komunave, jo t’i trajtojë komunat në mënyrë selektive. Interesat e komunave mbrohen me investime e projekte zhvillimore, jo me deklarata puro politike.
Asociacioni duhet të jetë zë i 38 komunave, jo zë selektiv i disa prej tyre.






