Ish-ambasadori, Gëzim Kasapolli i ka cilësuar si absurde veprimet e partive politike në Kosovë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shpallur më 16 shtator.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Kasapolli ka kritikuar mënyrën se si partitë politike po e trajtojnë çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se situata është komplikuar pa ndonjë arsye të qartë.
Ai ka thënë se asnjëra nga partitë politike nuk e ka të qartë se çfarë po bën, ndërsa ka theksuar se energjitë politike dhe shoqërore duhet të përqendrohen te procesi i apelit dhe sfidimi i vendimit të gjykatës.
“E gjitha që ka ndodhur pas 16 shtatorit, pas shpalljes së vendimit në Hagë, është absurditet në vetvete. Askush, as PDK-ja, as VV-ja, askush në këtë kastë politike nuk e ka të qartë e as nuk e di se çfarë po bën. E kemi një shprehje që thotë: ‘Pse thjesht kur mundem me e kompliku’. Kështu që, në këtë rast, partitë politike e kanë bërë kthimin e ligjit vetëm për ta komplikuar situatën, absolutisht. Nuk ka kuptim tjetër”, ka deklaruar Kasapolli.
Ai ka theksuar se fokusi duhet të jetë te procesi i apelit dhe te mënyra se si mund të kundërshtohen përfundimet e Gjykatës Speciale, e jo te diskutimet për faljen apo zbutjen e mundshme të dënimeve.
“Sa i përket procesit, asgjë nuk ka kuptim në vend se të gjitha energjitë tona kolektive të kthehen nga Apeli. Nëse i pyesni sot Thaçin e të tjerët, nëse ia japim të drejtën presidentes që t’ua falë, a do ta pranonit? Unë jam i sigurt që nuk do ta pranojnë, sepse ne këtu kemi të bëjmë me një proces që po na e gjykon shtetin, UÇK-në dhe pavarësinë tonë”, është shprehur ai.
Sipas Kasapollit, kjo çështje duhet të trajtohet si një sfidë që tejkalon fatin individual të katër ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar një qasje të përbashkët institucionale dhe shoqërore.
“Pikërisht ky është ai konsensusi ynë shoqëror, i cili duhet të orientohet drejt sfidimit të asaj se çfarë ka thënë vendimi i gjykatës, e jo nga vetëkënaqësia jonë se a po mund t’i falim ata, a po mund t’ua zbusim dënimin kaq apo çfarë. Kjo çështje shkon përtej katër të akuzuarve, të dënuarve. Kjo është shumë më e madhe se ata dhe ata e kuptojnë këtë çështje që është më e madhe se ata”, ka deklaruar Kasapolli.
Ai ka përmendur edhe qëndrimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili e ka cilësuar procesin dhe vendimin si politik dhe jo si drejtësi, duke vlerësuar se Kosova ka pasur mangësi në mënyrën se si e ka trajtuar këtë çështje ndër vite.
“Thaçi u ka thënë që kjo nuk është drejtësi, por është politike. Mungesat tona, të cilat i kemi pasur gjatë këtij gjashtëvjeçari, ku e kemi trajtuar këtë çështje si një proces aq të thjeshtë dhe kemi besuar që këta njerëz do të kthehen, do të lirohen, kjo e tregon edhe kuptimin tonë shoqëror”, ka përfunduar Kasapolli.






