Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Shiroka Pula ka përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ajo ka theksuar se, pavarësisht zhvillimeve gjyqësore, e vërteta historike për luftën dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri nuk duhet të zbehet.
“Krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike. Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo”, ka deklaruar Shiroka Pula.
Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë më 16 shtator 2026 nga Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtë ankese.
Afati për dorëzimin e njoftimeve për ankesë është caktuar deri më 27 nëntor 2026.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë formuar një grup punues për koordinimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit, përfshirë mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e UÇK-së.
Deklarata e presidentes vjen në prag të 28 Nëntorit, një prej datave më të rëndësishme historike për shqiptarët, e cila në Kosovë shënohet edhe në kujtim të sakrificës për liri dhe pavarësi.






