Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga ambasadori Petrit Malaj, në prag të shënimit të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të 28 Nëntorit, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997, si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Ai ka vlerësuar se 28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme për shqiptarët, duke simbolizuar sakrificën, lirinë dhe bashkimin kombëtar.
“28 Nëntori si kryefestë e shqiptarëve që nga viti 1443, për të vazhduar më 28 nëntor 1912 me aktin e shpalljes së Pavarësisë e deri tek 28 nëntori i 1997 me daljen e parë publike të UÇK-së, dhe njëkohësisht ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari, është emocioni më sublim i çdo shqiptari”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se shqiptarët do të vazhdojnë të jenë të bashkuar në angazhimin për të drejtat e tyre.
“Në veprim për të drejtën tonë ishim e do të jemi bashkë gjithnjë”.






