Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka përmendur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, gjatë një deklarate në të cilën ka mbrojtur ligjshmërinë e operacioneve ushtarake amerikane dhe ka kundërshtuar nismën për shkarkimin e tij nga detyra.
Duke folur në një konferencë për media, Hegseth ka rikujtuar disa ndërhyrje ushtarake amerikane gjatë administratave të presidentëve të mëparshëm, duke e përfshirë edhe Kosovën gjatë presidencës së Bill Clintonit.
“Gjatë 250 vjetëve të republikës amerikane, asnjë sekretar i Luftës apo sekretar i Mbrojtjes nuk është përballur me shkarkim për kryerjen e operacioneve ushtarake të ligjshme. Asnjëherë. Jo gjatë Reaganit në Liban. Jo gjatë Clintonit në Kosovë. Jo gjatë Obamës në Irak apo Siri. Jo gjatë Bidenit në Irak apo Siri. Ky është standardi. Historia është e qartë”, ka deklaruar Hegseth.
Deklarata e sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen pas iniciativës së kongresistit republikan Thomas Massie për nisjen e procedurës së shkarkimit të tij, e njohur si impeachment.
Massie ka paraqitur tetë pika të akuzës kundër Hegseth, të cilat lidhen kryesisht me përfshirjen ushtarake amerikane në Iran pa autorizimin e Kongresit, si dhe me operacionet në Jemen dhe Venezuelë.
Kongresisti e akuzon atë për zbatimin e urdhrave të paligjshëm dhe shkeljen e Kushtetutës amerikane.
Megjithatë, Hegseth i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e cilësuar iniciativën si përpjekje të motivuar politikisht.
“Kjo është ajo që po ndodh, mospajtime për politikat. Jo krime të rënda, jo kundërvajtje, jo tradhti, jo ryshfet dhe as lloji i shkeljeve që themeluesit e SHBA-së kishin parasysh kur hartuan klauzolën për shkarkimin nga detyra”, ka thënë ai.
Përmendja e Kosovës nga Hegseth lidhet me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër caqeve të forcave jugosllave në vitin 1999, gjatë administratës së presidentit amerikan Bill Clinton.
Ai e ka përdorur këtë shembull për të argumentuar se sekretarët amerikanë të Mbrojtjes nuk duhet të përballen me procedura shkarkimi për vendimet lidhur me operacionet ushtarake, kur ato konsiderohen të ligjshme.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte vendimtare për ndaljen e fushatës së forcave serbe në Kosovë dhe përfundimin e luftës, duke hapur rrugën për vendosjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë në vend.
Deklarata e Hegseth vjen në një periudhë tensionesh politike në Washington, ku ligjshmëria e operacioneve ushtarake të administratës aktuale është bërë objekt debati mes përfaqësuesve republikanë dhe demokratë






