Hamza pas vendimit të VV-së për seancën e nesërme: Cila është logjika, përveç dhunimi i Kushtetutës?

- Advertisement -

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të mbahet të shtunën në orën 11:00, duke thënë se me këtë veprim po cenohet Kushtetuta, demokracia dhe ligjet e vendit.

Hamza, në një prononcim për media nga holli i Kuvendit, teksa po shkonte në një takim me Grupin Parlamentar të PDK-së, deklaroi se Kuvendi duhet të konstituohet më së voni gjatë ditës së sotme.

“Situata është serioze, është duke u cenuar demokracia, kushtetuta, është duke u prodhuar një situatë që mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme për vendin. Duhet t’i respektojmë ligjet dhe Kushtetutën, dhe aktgjykimi i GJK-së është i qartë që Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, dhe data e fundit ka qenë sot”.

Ai e ka cilësuar të papërgjegjshme shtyrjen e vazhdimit të seancës, duke thënë se PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e, siç i quajti ai, “lojërave të tilla”.

“Cila është logjika, përveç dhunimi i Kushtetutës, demokracisë dhe i ligjeve që seanca nuk vazhdon sonte por thirret për nesër? Kjo është krejtësisht e papërgjegjshme. Ne si PDK nuk do të jemi pjesë e lojërave të tilla të papërgjegjshme, jo serioze, me oferta aspak serioze, me biseda aspak serioze për t’i dhënë vendit institucione, dhe sigurisht se ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme politike, demokratike në mbrojtje të demokracisë, të shtetit, por edhe të Kushtetutës”, tha kreu i PDK-së.

Të ngjashme

Të fundit