Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur shqetësimin se vendi ndodhet në krizë politike, kushtetuese dhe institucionale, si pasojë e, siç tha ai, pengmarrjes së institucioneve nga deputeti Albin Kurti.
Hamza, nga foltorja në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, i ka bërë thirrje shumicës parlamentare ta thërrasë seancën për konstituimin e këtij institucioni.
“Edhe sot, këtu, i ftojmë: hajdeni, konstituojeni Kuvendin. Mbi çdo parti është Republika e Kosovës. Mbi çdo pushtet është Kushtetuta. Partitë vijnë dhe shkojnë. Qeveritë vijnë dhe shkojnë. Kryeministrat dhe kryeparlamentarët vijnë e shkojnë. Por Republika duhet të mbetet. Dhe kjo Republikë mbetet vetëm atëherë kur Kushtetuta respektohet. Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës! Atij i kërkojmë urgjentisht të reflektojë dhe të heqë dorë nga këto veprime antikushtetuese. Sepse, pa e rikthyer kushtetutshmërinë, pa e rikthyer rendin kushtetues, me ne nuk mund të flitet për asgjë tjetër. Thirreni seancën dhe rikthejani Kuvendin të zgjedhurve të popullit. Përderisa nuk reflekton dhe nuk e rikthen procesin në binarët kushtetues, Albin Kurti nuk ka kredibilitet për të hapur tema të tjera madhore shtetërore”, tha ai.
Ai theksoi se Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Avni Dehari, qëllimshëm e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pra, institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt, me shkelje të Kushtetutës, me shkelje të Rregullores së Kuvendit, ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë në tjetrën. Kjo nuk është normale. Dhe nuk do ta lejojmë të bëhet normale. Shteti nuk është Albin Kurti. Shteti është Kushtetuta. Janë ligjet. Janë institucionet dhe kufijtë që askush nuk ka të drejtë t’i kalojë”, potencoi kreu i PDK-së.
Hamza tha se Grupi Parlamentar i LVV-së, ndonëse e ka fituar të drejtën ta propozojë Kryetarin e Kuvendit, nuk e ka fituar të drejtën ta ndalë orën kushtetuese.
“Kurti e ka fituar të drejtën të negociojë. Por nuk e ka fituar të drejtën t’i vendosë interesat politike mbi Kushtetutën. Avni Dehari e ka përgjegjësinë për ta drejtuar seancën konstituive. Por nuk ka mandat ta interpretojë Kushtetutën sipas interesit të partisë së tij. Rreziku më i madh tashmë nuk është vetëm shkelja, por fakti që shkeljen e kanë bërë precedent. Precedentin po e bëjnë praktikë. Dhe praktikën e shkeljeve po na e shesin si normalitet. Ne e refuzojmë këtë. Nuk ka mandat politik mbi Kushtetutën. Nuk ka shumicë mbi Kushtetutën. Nuk ka individ mbi Kushtetutën”, theksoi ai.






