I dyshuari për spiunazh e pranon se i dha informacione BIA-s, Prokuroria kërkon paraburgim

I dyshuari për spiunazh, Fehim Sali, ka pranuar se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA.

Gjithashtu, ai ka pranuar se ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi.

Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Salit, ndërsa prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se nga provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), është vërtetuar dyshimi i bazuar se ai ishte rekrutuar nga BIA dhe u kishte ofruar informacione në dëm të interesave të Kosovës.

“Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali.Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë.Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë. Me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale. Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha ai.

Prokurori Kodraliu ka thënë se Fehim Sali është duke u hetuar për më shumë se një vit, mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ai u shpreh se nuk mund të japin më shumë informacione.

“I njëjti ka qenë duke u hetuar për më shumë se një vit. Ndaj tij kemi zbatuar masat e veçanta hetimore dhe, nga hetimet që kemi zhvilluar, i njëjti ka pasur kontakte të ndryshme me zyrtarë të tjerë vendorë dhe me autoritete të Serbisë.

Për shkak të hetimit që jemi duke zhvilluar dhe ndjeshmërisë së rastit, kërkojmë mirëkuptim nga ju që në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informacione”, përfundoi ai./eo

Të ngjashme

Të fundit