Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë publike përgjigjen që ia ka kthyer kreut të VV-së, Albin Kurti, pas ftesës së këtij të fundit për takime rreth krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Gjini ka thënë se s’ka nevojë për takim, meqë kërkesa e Aleancës në këmbim të kuorumit mbetet e njëjtë. Ai ka thënë se AAK ndihmon zgjedhjen e presidentit nëse mandatari për kryeministër pranon 6 kushtet e AAK-së.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti.
Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, ka shkruar Gjini.






