Na mbajte pa frymë, na bëre të besojmë dhe, në fund, na dhurove një fitore të madhe e plotësisht të merituar.
Kombëtarja zvicerane po jeton një nga periudhat më të ndritura të historisë së saj, ndërsa ti je kapiteni që e udhëheq me dinjitet, karakter dhe zemër.
Për ne, që kemi ndjekur me krenari çdo hap të karrierës sate, ky është një moment që vështirë përshkruhet me fjalë.
Gjithmonë kam besuar se nuk ka forcë që mund ta ndalë Granit Xhakën, Kapedanin shqiptar, kur përballet me sfidat me kokën lart dhe me besim të palëkundur në vetvete.
Fitoren tënde e përjetuam si tonën. U gëzuam pa masë që ke arritur në majat e futbollit botëror dhe që, me punën, karakterin dhe shpirtin tënd luftarak, e nderon kombin tonë dhe vendin që përfaqëson.
Me ty rrahën zemrat e shqiptarëve kudo që jetojnë. Në familjen time je një yll, një frymëzim për brezat e rinj që ëndërrojnë të arrijnë majat me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë.
Ti dëshmove se rrënjët e forta nuk thyhen. Dëshmove se një shqiptar mund të jetë kapiten, udhëheqës dhe shembull në skenën më të madhe të futbollit, duke e lartësuar emrin tënd, familjen tënde dhe vlerat që përfaqëson.
Jam krenar me ty, Kapedan!
Jam krenar edhe me mikun tim, babanë tënd Ragipin, dhe me gjithë familjen tuaj, që i dhanë sportit një bir të denjë, i cili i bën krenarë shqiptarët kudo dhe nderon me dinjitet fanellën e Zvicrës.
Zoti të bekoftë, të dhëntë shëndet, forcë dhe suksese të reja!
Vazhdo të na bësh krenarë.
Vazhdo me fitore, Granit Kapedani!
Me respekt,
Ramiz Lladrovci






