Ftesë për Prokurorinë Speciale të hetojë vendimmarrjen e paligjshme të U.D.-ve në pozitat e larta drejtuese

- Advertisement -

Nga Ali Sefaj

Ftesë publike

E ftoj Prokurorinë Speciale të hetojë vendimmarrjen e paligjshme të U.D.-ve në pozitat e larta drejtuese.

Hetimi duhet të bëhet tek pozitat e nivelit të lartë drejtues, sepse pikërisht në këto pozita ushtrohen kompetenca të gjera institucionale dhe financiare: nënshkruhen kontrata, autorizohen pagesa, merren zotime buxhetore, miratohen projekte e procedura prokurimi, bëhen emërime dhe merren vendime që kushtojnë miliona euro nga taksat e qytetarëve.

Prandaj kërkoj nga Prokuroria Speciale që të hetojë U.D.-të në pozitat e larta drejtuese që kanë vazhduar ushtrimin e funksionit përtej kufirit ligjor dhe, mbi të gjitha, vendimmarrjen e tyre pas konsumimit të këtij afati.

Ligji është i prerë. Neni 35 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, i ndryshuar me nenin 9 të Ligjit Nr. 08/L-294, përcakton:
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se një periudhë prej dy (2) viteve.”

Ndërsa neni 35 paragrafi 5 përcakton se çdo vendim i marrë nga U.D. pas kalimit të afatit ligjor (prej dy vitesh) është i paligjshëm.

Pikërisht këtu duhet të përqendrohet hetimi: çfarë kanë vendosur dhe çfarë kanë nënshkruar U.D.-të e nivelit të lartë drejtues pasi është konsumuar afati ligjor?

Sa kontrata kanë nënshkruar? Sa miliona euro kanë autorizuar për pagesë? Sa zotime buxhetore kanë aprovuar? Sa projekte kapitale, prokurime, marrëveshje dhe punësime janë realizuar përmes vendimmarrjes së tyre?

Këto vendime janë veçanërisht serioze sepse nuk prodhojnë vetëm pasoja brenda administratës. Ato prekin drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve.

Prandaj kjo vendimmarrje duhet të hetohet edhe në raport me nenin 414 të Kodit Penal – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, i cili, kur plotësohen elementet e veprës, trajton tejkalimin e kompetencave dhe përfshin edhe shkeljen me dashje apo me dijeni të ligjit lidhur me detyrat apo punësimin e zyrtarit.

Prokuroria Speciale duhet ta marrë listën e U.D.-ve në pozitat e larta drejtuese, të përcaktojë datën kur secila pozitë ka konsumuar kufirin dyvjeçar dhe pastaj të marrë në shqyrtim çdo vendim financiar të nxjerrë pas asaj date, duke ndjekur të gjithë rrugën e autorizimit dhe shpenzimit të parasë publike.

Sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për U.D. të mbajtur përtej afatit. Bëhet fjalë për vendimmarrje që ligji e përcakton si të paligjshme dhe për miliona euro nga taksat e qytetarëve të autorizuara përmes nënshkrimeve të zyrtarëve të lartë, pasi pozitat përkatëse kishin kaluar kufirin ligjor.

Ligji e ka vendosur kufirin. Ligji e ka përcaktuar edhe pasojën: vendimi pas afatit është i paligjshëm. Tani është detyrë e Prokurorisë të përcaktojë se sa vendime të tilla janë marrë, sa miliona euro janë autorizuar përmes tyre dhe nëse janë konsumuar elementet e veprave penale (sipas nenit 114 paragrafit 2 të Kodit Penal të Kosovës, denohet me gjobë dhe burg nga 3 deri në 10 vjet)!

Paraja publike nuk mund të shpenzohet mbi bazën e vendimmarrjes së paligjshme dhe pastaj gjithçka të mbyllet me arsyetimin se “ka pasur një vendim për U.D.”. Kur mandati ligjor mbaron, duhet të mbarojë edhe kompetenca që buron prej tij.

Prandaj Prokuroria Speciale duhet të hapë dosjet, të verifikojë mandatet, të kontrollojë nënshkrimet dhe të ndjekë çdo euro të taksapaguesve. Aty ku vendimmarrja e paligjshme ka kaluar pragun e përgjegjësisë penale, duhet të ketë hetim, aktakuzë dhe përgjegjësi individuale.

Askush nuk mund të ketë pushtet pa mandat, të vendosë pa kompetencë dhe të disponojë me miliona euro të qytetarëve pa dhënë llogari dhe pa u përballur me pasoja penale.

Me respekt
Ali Sefaj

_____________________________________

Informatë shtesë: shumica e pozitave në ministri dhe agjenci ekzekutive mbahen me ushtrues detyre tash e pesë vite!

Të ngjashme

Të fundit