Komandanti i KFOR-it takohet me shefen në detyrë të BE-së në Kosovë, diskutojnë situatën e sigurisë

- Advertisement -

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.

Gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe është vlerësuar rëndësia e forcimit të koordinimit ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

KFOR ka bërë të ditur se Ulutaş ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet misionit të NATO-s dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në njoftim është rikujtuar se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim të kontribuimit në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimit të lirisë së lëvizjes.

Misioni i KFOR-it thekson se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre për reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve ndërkombëtare të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit