Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza ka kërkuar arrestimin dhe paraburgosjen e gazetarit Milaim Zeka.
Ajo shkroi në një postim në Facebook se Zeka po gënjen në arsyetimin e tij lidhur me lakimin e emrit të tij në aktakuzën e Prokurorisë Speciale kundër Fatmir Shehollit, të akuzuarit si spiun të Serbisë.
“Milaim Zeka po arsyetohet se materialet që ia ka dhënë Fatmir Sheholli kanë qenë të GIZ-it. Mirëpo materialet kanë qenë në serbisht, që Mila ka marrë pare me i përkthy. Milaimi e di që GIZ-i gjerman materialet i ka gjithashtu gjermanisht, jo serbisht. Boll me rrena, tash e ka fjalën Prokuroria. Pse është ende i lirë ky njeri?”, shkroi Fejza.
Për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale në Kosovë, Sheholli, sipas aktakuzës, kishte shkuar në Mitrovicën e Veriut, ku kishte pranuar materiale audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Sipas Prorkurorisë, këto materiale ishin “të destinuara për komprometimin e tyre”. Në Mitrovicën e Veriut, Sheholli akuzohet se kishte marrë një shumë prej 5.000 euro si shpërblim për kryerjen e kësaj detyre dhe “në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-s, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka”.
Zeka, sipas aktakuzës, kishte pranuar 1.000 euro dhe ishte udhëzuar për kohën dhe mënyrën e publikimit të materialeve të tyre në emisionin “Pa Rrotlla” disa ditë para votimit në zgjedhjet lokale.
Zeka ka mohuar se ishte në dijeni se materialet ishin të BIA-s, duke pretenduar se pasi e kishte kuptuar këtë nga Policia e Kosovës, i kishte kthyer paratë dhe i kishte larguar materialet nga media e tij.






