Në takimin e mbajtur lidhur me çështjen e menaxhimit të mbeturinave në komunat ku vepron ndërmarrja “Pastrimi”, munguan kryetarët e komunave të VV-së, Valon Prebreza i Fushë Kosovës, Halil Thaçi i Obiliqit si dhe Shpejtim Bulliqi i Podujevës.
E diskutimet u mbajtën mes të parit të Prishtinës, Përparim Rama, kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kreut të Lipjanit, Imri Ahmeti.
Edhe pse tre kryetarë munguan, tre të tjerët u dakorduan që secila komunë të menaxhojë telashet e veta me mbeturina.
Por, Lladrovci, gjatë një konference për media, tha se Prebreza, Bulliqi e Thaçi, “me ose pa qejf”, sipas tij do të ulen në tryezë me ta për të folur për menaxhimin e ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Ne e kemi themeluar ndërmarrjen, natyrisht që do të na marrë kohë. E tha edhe kryetari Rama që ne jemi dakord 100 për qind për çka kemi diskutuar sot. Ne nuk i komentojmë deklaratat e kryetarëve të tjerë, por ata me qejf ose pa qejf kanë me u ulë me neve, sepse ne duhet me u marrë vesh për kompaninë”, tha ai.






