PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dorëzon sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e drejtuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, bëri të ditur se kallëzimi do të dorëzohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas kallëzimit të PDK-së, Dehari, në cilësinë e deputetit më të vjetër në moshë dhe kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës XI, dyshohet se nga 8 gushti 2026 e në vazhdim nuk e ka përmbushur detyrën e tij për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.

PDK vlerëson se Dehari ka tejkaluar kompetencat e rolit të tij procedural duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim nga grupet parlamentare opozitare.

Në kallëzim përmenden kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.

PDK vlerëson se mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje, ndërsa veprimet e Deharit i kanë shërbyer kësaj agjende.

Deputeti Përparim Gruda tha se PDK pret nga Prokuroria Speciale trajtimin e kallëzimit në përputhje me ligjin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së mundshme penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Partia Demokratike e Kosovës sot do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, siç e dini, për shkak të moshës është drejtues i seancës konstituive, ose kryesues i saj, dhe detyrë të cilën ai nuk po e ushtron në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës dhe me Kushtetutën e Kosovës. Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë. Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, nuk, nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive. Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit