Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i është drejtuar i mllefosur me fjalën “idiot”, anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Dardan Krasniqit, i cili paralajmëroi arrestimin e Pecit. Në një video-mesazh të publikuar në rrjete sociale, Peci tha se “nuk ka aktakuzë” dhe se është i gatshëm t’i përgjigjet Prokurorisë. Sipas Pecit, ekziston një arsye pse Krasniqi ka folur kështu.
“Për informimin tuaj unë s’kam aktakuzë të ngritur. Sa herë që mekanizmat e drejtësisë janë të gatshëm unë do t’i përgjigjem atyre. Kështu që Dardan Krasniqit nga AAK-ja po i bëj me dije që unë tash kam edhe informacione për ndërhyrjet dhe përpjekjet e vazhdueshme të AAK-së nga momenti kur jam kam shporrë jashtë si mbeturinat nga zyrat në Ulpianë. Unë nuk i fshehem drejtësisë. Nuk kam aktakuzë. Dhe nga sot e ke padinë për shpifje, idiot”, ishin fjalët e Pecit në videon e publikuar.
Në një deklarim të mëhershëm gjatë kësaj të premte (16 tetor), Krasniqi tha se sipas informacioneve që ka, dy kryetarë të komunave në Kosovë mund të përfundojnë në pranga.
Njëri nga ta, siç u shpreh Krasniqi, është ai i Mitrovicës, Faton Peci.






