Kurti e Sveçla heshtin për ushtarakët serbë në Prishtinë, dikur VV-ja sulmonte Qeverinë për gjeneralin serb

- Advertisement -

Në nëntor të vitit 2015, vizita e gjeneralit serb Lubisha Dikoviq në Prishtinë nxiste reagime të ashpra nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i atëhershëm, Visar Ymeri, kërkonte që KFOR-i t’i kërkonte falje popullit të Kosovës, ndërsa deputeti Rexhep Selimi kritikonte mungesën e reagimit të drejtuesve të Qeverisë.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, një takim tjetër i ushtarakëve serbë me KFOR-in në Prishtinë nuk ka marrë përgjigje publike nga dy drejtuesit e pushtetit të cilët vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, e që dikur në opozitë kishin kritika të ashpra ndaj pushtetit të atëhershëm.

Deri pasditen e 27 nëntorit, nuk ishte bërë publik ndonjë reagim nga kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, apo ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Nga VV-ja ka reaguar deputeti Mefail Bajqinovci, njëherësh kryetar i Komisionit parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Takimi në Prishtinë dhe reagimi i Bajqinovcit

KFOR-i njoftoi më 26 nëntor për takimin e përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët për Zbatimin, JIC, me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë.

Takimi u zhvillua në kampin “Film City”. Sipas misionit të NATO-s, ky mekanizëm mundëson komunikimin për Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe çështjet përgjatë vijës kufitare administrative.

Bajqinovci kritikoi mënyrën e publikimit të takimit dhe gjuhën e respektit të ndërsjellë, duke e lidhur kundërshtimin me plagët e luftës dhe fatin e të zhdukurve.

Megjithatë, ai e pranoi nevojën për komunikim ndërmjet dy palëve.

“Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve”, shkroi Bajqinovci në Facebook.

Ai kërkoi që KFOR-i të komunikojë rregullisht me institucionet e Kosovës dhe të mos krijohet përshtypja se ato mund të anashkalohen.

Ymeri kërkonte “falje” nga KFOR-i

Në reagimin e raportuar më 22 nëntor 2015, kryetari i atëhershëm i VV-së, Visar Ymeri, e cilësonte të papranueshme vizitën e Dikoviqit.

Ai i referohej akuzave të organizatave për të drejtat e njeriut ndaj shefit të atëhershëm të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe.

“Kjo është një fyerje për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet e rrënimin që pësuan prej luftës”, deklaronte Ymeri.

Sipas tij, pritja e Dikoviqit në Kosovë ndihmonte rehabilitimin e figurave që ai i konsideronte përgjegjëse për krime lufte. Ymeri kërkonte falje nga KFOR-i dhe e lidhte vizitën me kundërshtimin e dialogut me Serbinë dhe të marrëveshjes për Asociacionin.

Selimi kritikonte mosreagimin e Qeverisë

Deputeti i atëhershëm i VV-së, Rexhep Selimi, e drejtonte kritikën edhe ndaj kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Në një postim në Facebook, të raportuar më 25 nëntor 2015 nga Radio Kosova e Lirë, Selimi i akuzonte për mungesë reagimi ndaj vizitës.

“Dikoviqi u kthye në vendin e krimit e në ndërkohë Qeveria Mustafa-Thaçi insistojnë në realizimin e interesave të shtetit të tij kriminal, siç është Zajednica”.

Selimi pretendonte se Qeveria duhej të kërkonte llogari për praninë e Dikoviqit në Kosovë.

Më 2015 reagoi edhe ministri i Brendshëm i LDK-së, ndërsa sot Sveçla heshtë

Kundërshtimi atëherë nuk mbeti vetëm te opozita. Më 24 nëntor 2015, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ia përcolli shqetësimin komandantit të KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta.

Sipas komunikatës së MPB-së, Hyseni kundërshtonte vizitat e ushtarakëve serbë ndaj të cilëve organizatat e të drejtave të njeriut kishin ngritur akuza për krime lufte.

“Për më tepër, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën. Si të tilla, këto vizita janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin”, deklaronte Hyseni.

Ministri dhe komandanti i KFOR-it ishin pajtuar për komunikim më efektiv, me synimin që vizita të tilla të mos përsëriteshin.

Duhet theksuar se në njoftimin për takimin e fundit, KFOR-i nuk ka publikuar emrat e ushtarakëve serbë pjesëmarrës. Për takimin e njoftuar më 26 nëntor nga KFOR, nuk ka ndonjë reagim publik nga Kurti apo Sveçla.

Të ngjashme

Të fundit