Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e ka dekoruar me Medaljen “Shërbim i Shquar”.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se medalja i është ndarë Jasharit në shenjë vlerësimi për shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj sigurisë, sovranitetit dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Ministri ka rikujtuar edhe të kaluarën e Jasharit gjatë luftës, duke theksuar se ai ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari në luftimet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku luftoi përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit.
Pas luftës, Jashari vazhdoi karrierën ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku në nëntor të vitit 2021 u emërua komandant.
Maqedonci ka vlerësuar se gjatë pesë viteve në këtë detyrë, Jashari ka udhëhequr procese të rëndësishme për transformimin dhe fuqizimin e FSK-së, si dhe për avancimin e bashkëpunimit me vendet aleate.
“E falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë dhe për shërbimin e tij të çmuar ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.






