Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pasi të premten mbrëma është penguar vendosja e muralit kushtuar Nënës Terezë në kryeqytet, pavarësisht se Komuna kishte dhënë leje për këtë.
Në një reagim në Facebook, Rama ka thënë se, sipas ekipit që po merrej me vendosjen e muralit, polici i pranishëm në vendngjarje kishte deklaruar se urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.
Rama ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, të identifikojë personin që ka dhënë urdhrin dhe të bëjë publik vendimin mbi bazën e të cilit është ndërhyrë.
“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar Rama.
Ai ka kërkuar përgjigje nga Policia për bazën ligjore të ndërhyrjes, personat që kanë kërkuar dhe urdhëruar ndalimin e vendosjes së muralit, si dhe nëse ka pasur presion politik mbi Policinë.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, janë pyetjet që Rama ia ka drejtuar Policisë së Kosovës






