Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus, ka zbuluar se brenda kampit të Gjermanisë ka pasur tensione gjatë Kupës së Botës 2026, duke sugjeruar se prania e familjarëve të lojtarëve ndikoi negativisht në atmosferën e skuadrës.
Sipas ish-kapitenit të Gjermanisë, eliminimi nga Paraguai në fazën e 1/16 së finales nuk duhet të analizohet vetëm nga aspekti sportiv, pasi edhe ngjarjet jashtë fushës kanë pasur ndikimin e tyre.
Në podcastin e tij për Sport Bild, Matthäus tha se trajtimi i ndryshëm i familjeve të lojtarëve krijoi pakënaqësi brenda ekipit.
“Ka shumë gjëra për t’u analizuar, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Gratë, familjet, gjithçka ishte aty. Nuk e kuptoj pse të gjitha familjet duhej të ishin të pranishme që nga fillimi i turneut”, u shpreh ai.
Sipas Matthaus, kjo situatë shkaktoi diskutime të shumta për udhëtimet dhe akomodimin e familjarëve.
Debate mes lojtarëve
Ish-fituesi i Kupës së Botës zbuloi se pati edhe raste konkrete mosmarrëveshjesh mes futbollistëve.
Ai tha se një lojtar ishte i pakënaqur sepse një bashkëlojtar kishte leje të udhëtonte me nënën e tij, ndërsa një tjetër me gruan dhe fëmijët, kurse pjesa tjetër e familjarëve duhej të përdornin fluturime komerciale.
Sipas tij, këto dallime krijuan pakënaqësi dhe u bënë temë diskutimi brenda skuadrës, edhe pse nuk u bënë publike në media.
“Fokusi nuk ishte vetëm te futbolli”
Matthaus theksoi se këto çështje sollën shqetësime të panevojshme në ekip dhe larguan vëmendjen nga objektivi kryesor.
“Në praktikë pati shumë trazira, edhe pse nga jashtë nuk u vunë re. Fokusi nuk ishte vetëm te Kupa e Botës. Gjithmonë kishte ditë të rezervuara për familjet dhe kjo ndikonte në përqendrimin e skuadrës”, tha ai.
Sipas legjendës gjermane, familjet nuk duhej të ishin pranë ekipit që në fillim të turneut.
Matthaus beson se Federata Gjermane duhet të rishikojë mënyrën se si menaxhohet prania e familjeve gjatë kompeticioneve të mëdha. Ai sugjeroi që familjarët të bashkoheshin me ekipin vetëm në fazat e avancuara të turneut.
“Lojtarët nuk kishin kaluar as dy javë në SHBA dhe të gjitha familjet ishin tashmë atje. Do të ishte më mirë të vinin në çerekfinale, kur ekipi të kishte arritur diçka të rëndësishme”, përfundoi Matthaus.






