Anëtari i Kryesisë së PDK-së, deputet i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar protesta kundër Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Info Magazine në Klan Kosova, ai tha se partia e tij do të gjejë forma për, siç tha, “luftuar këtë të keqe”, brenda dhe jashtë Kuvendit.
“Detyra jonë si deputetë është mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe e integritetit institucional, prandaj ne do të bëjmë veprime në kuvend dhe jashtë Kuvendit, edhe protesta, me të vetmen arsye për t’ia bërë me dije qytetarit të Kosovës se kjo që po ndodh nuk është më raport opozitë-qeveri, apo se kush ka të drejtë e kush nuk ka. Por është raport mes asaj se çka është legjitime dhe çka jo, dhe veprimet e LVV-së dhe sjellja politike e saj, e bën atë shumicë parlamentare e cila nuk është legjitime, sepse tre herë të prodhojë kriza politike me qëllimin e vetëm për ta shthurur shtetin e Kosovës, për ne është e papranueshme, dhe do të veprojmë. Por kur, çka dhe si, është temë që i takon PDK-së, por edhe partive tjera”, deklaroi Hoxhaj.






