Edhe në Vushtrri nisi “Ora e Pritjes” për çlirimtarët

- Advertisement -

Mbrëmë, edhe në Vushtrri nisi “Ora e Pritjes”, aktiviteti simbolik i numërimit mbrapsht në pritje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në aktivitet morën pjesë qytetarë të shumtë, ndërsa të pranishmëve iu drejtuan kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dhe përfaqësuesja e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha.

Kryetari Idrizi tha se Vushtrria i bashkohet mesazhit të pritjes dhe mbështetjes për çlirimtarët.

“Edhe Vushtrria sonte i bashkohet numërimit mbrapsht. Ky qytet e njeh mirë çmimin e lirisë dhe do të jetë pjesë e kësaj pritjeje me shpresën që çlirimtarët tanë të kthehen sa më parë në Kosovë.”, tha Idrizi.

Ndërkaq, Eliza Hoxha tha se “Ora e Pritjes” po shndërrohet në një mesazh qytetar që po bashkon qytete anembanë Kosovës.

“Nga Prishtina në Vushtrri dhe në çdo qytet të Kosovës, mesazhi është i njëjtë: Kosova po pret. Po presim drejtësi, liri dhe kthimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në atdhe.”, tha Hoxha.

Aktiviteti në Vushtrri është pjesë e fushatës “Kosova po pret”, në kuadër të aktiviteteve të platformës “Liria ka Emër”.

Të ngjashme

Të fundit