E drejta për jetë dhe përgjegjësia e shtetit!

- Advertisement -

Shkruan: Ardian Bajraktari

Thelbi i detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e jetës qëndron në faktin se shteti nuk mund të mjaftohet vetëm me reagimin pasi jeta të jetë humbur. Ai duhet të veprojë paraprakisht, kur ekzistojnë rrethana që e bëjnë ndërhyrjen e tij të domosdoshme dhe të arsyeshme.

Rasti i të ndjerës Arlinda Zekaj ngre çështje serioze lidhur me përgjegjësinë e shtetit. Sipas informacioneve të bëra publike, ajo ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme dhe, më 22 tetor, i ishte drejtuar me shkrim Kryeprokurores në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej. Tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra.

Standardi juridik dhe praktika gjyqësore

Neni 25 i Kushtetutës së Kosovës garanton të drejtën për jetë, ndërsa neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e obligon shtetin, në rrethana të caktuara, të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e jetës nga veprimet e personave të tjerë.

Po ashtu, nenet 18, paragrafi 4, 50, paragrafi 1, 51, paragrafi 1 dhe 55, paragrafi 1, të Konventës së Stambollit përcaktojnë detyrimet e shtetit për veprim parandalues dhe mbrojtës, vlerësim të rrezikut dhe mbrojtje efektive të viktimës, pa e kushtëzuar atë me vullnetin e saj për të nisur apo vazhduar procedurën penale.

Sipas standardit të vendosur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen kundër Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1998, shteti mund të mbajë përgjegjësi kur autoritetet kanë ditur ose është dashur të dinë se një person përballej me rrezik real dhe të menjëhershëm për jetën, por nuk kanë ndërmarrë masat që në mënyrë të arsyeshme mund të priteshin prej tyre për ta parandaluar atë.

Në këtë drejtim, rasti i parë i Gjykatës Kushtetuese është Aktgjykimi KI41/12, kurse Aktgjykimi KI129/21, po ashtu përbën një nga vendimet më të rëndësishme lidhur me përgjegjësinë kushtetuese të shtetit për mbrojtjen e jetës së viktimave të dhunës në familje.

Këtu konstatohet se shteti nuk e përmbush detyrimin për mbrojtjen e jetës vetëm duke miratuar ligje dhe duke krijuar mekanizma institucionalë. Ai duhet të sigurojë edhe zbatimin e tyre efektiv, veçanërisht kur autoritetet kanë ose është dashur të kenë dijeni për ekzistimin e një rreziku real ndaj jetës.

Po ashtu, Gjykata pati konstatuar dështime thelbësore të autoriteteve kompetente, ndër të cilat:

1. Mungesën e reagimit të menjëhershëm ndaj raportimit të dhunës në familje.

2. Mungesën e një vlerësimi të mirëfilltë të rrezikut, i cili duhet të jetë autonom, proaktiv dhe i menjëhershëm.

3. Mungesën e vlerësimit të rrezikut real dhe të menjëhershëm për jetën, ndonëse autoritetet kishin ose është dashur të kishin dijeni për të, veçanërisht duke pasur parasysh se bashkëshorti i viktimës ishte dënuar më parë për dhunë në familje.

4. Mosndërmarrjen e masave për mbrojtjen e jetës së saj.

Detyrim i shtetit nuk nënkupton garanci absolute se çdo vdekje mund të parandalohet, por verësimi duhet të përqendrohet në atë se çfarë dinin ose duhej të dinin autoritetet para ngjarjes dhe nëse kishin ndërmarrë masa të arsyeshme që mund të priteshin prej tyre, për të parandaluar pasojën tragjike.

Tri nivele të përgjegjësisë

Dështimi institucional, në vetvete, nuk mjafton për të konstatuar përgjegjësi juridike. Megjithatë, rrethanat kërkojnë shqyrtimin e tri niveleve të përgjegjësisë:

Së pari, përgjegjësia e shtetit, që lidhet me mos përmbushjen e detyrimeve pozitive nga autoritetet për mbrojtjen e jetës.

Së dyti, përgjegjësia individuale, disiplinore ose penale, që lidhet me shkeljen e detyrimeve ligjore nga zyrtarë të caktuar.

Së treti, përgjegjësia procedurale, që lidhet me detyrimin për të zhvilluar një hetim efektiv, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, si për rrethanat e vrasjes, ashtu edhe për veprimet apo mosveprimet e mundshme të institucioneve.

Këto përgjegjësi janë të ndërlidhura, por nuk janë të njëjta. Përgjegjësia e shtetit për shkeljen e nenit 2 të KEDNJ-së nuk kërkon domosdoshmërisht dënimin penal të një zyrtari. Po ashtu, një gabim administrativ nuk dëshmon vetvetiu shkelje të së drejtës për jetë.

Çfarë duhet të hetohet?

Përtej ndjekjes penale të autorit të dyshuar të vrasjes, hetimi duhet të sqarojë edhe këto çështje:

1. Si janë trajtuar denoncimet, informatat dhe paralajmërimet e mëparshme të të ndjerës për dhunë dhe kërcënime?

2 A është bërë vlerësim profesional dhe i dokumentuar i rrezikut?

3. A është zbatuar realisht urdhri mbrojtës dhe a kanë qenë masat në përputhje me rrezikun konkret?

4. Si është trajtuar ankesa e të ndjerës e datës 22 tetor dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë pas saj?

5. A ka pasur koordinim efektiv ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatës dhe shërbimeve tjera?

6. A kanë ekzistuar masa të tjera të nevojshme që mund të ndërmerreshin për mbrojtjen e jetës së të ndjerës?

Përgjegjësia duhet të adresohet

Rasti i të ndjerës Arlinda Zekaj kërkon hetim serioz dhe gjithëpërfshirës për përmbushjen e detyrimeve shtetërore në mbrojtjen e jetës.

Konstatimi përfundimtar i shkeljes së nenit 25 të Kushtetutës, nenit 2 të KEDNJ-së dhe dispozitave përkatëse të Konventës së Stambollit kërkon shqyrtimin e të gjitha provave dhe rrethanave konkrete.

Aq më tepër kur tashmë është e qartë se autoritetet kishin dijeni për rrezikun real dhe të menjëhershëm ndaj jetës së saj dhe, pse nuk u ndërmorën masat që në mënyrë të arsyeshme mund të priteshin prej tyre.

Të ngjashme

Të fundit