Nga Besa Ismaili
Presidentja ende pa u akomoduar mirë në përgjegjësinë e saj, disa tashmë e kanë shpallur verdiktin. Pak durim, ju lutem, sepse kritika ka peshë vetëm kur mbështetet në punë e vendime. Paragjykimi zbulon vetëm ngutjen e atij/asaj që gjykon.
Te emërimi i cili është duke u përfolur, disa shohin vetëm etiketën partiake. Por gotën, gjithmonë kemi mundësinë ta shohim edhe gjysmë të mbushur: si p.sh çka nëse kemi të bëjmë me një grua të re që lë përgjegjësitë partiake për të marrë përgjegjësi institucionale? Prova e saj do të jetë profesionalizmi dhe paanshmëria që dëshmon në detyrë.
Pastaj, ju e mbani mend se edhe ish presidenten, znj. Atifete Jahjagën e paragjykuan aq shumë në fillim. Të paktë ishim ata që besuam se do t’ua dëshmonte të kundërtën. Dhe e bëri. Puna e saj i detyroi kritikët t’i rishikonin fjalët; disave u dha arsye edhe të turpëroheshin për paragjykimet që patën. Në mesin e tyre pati shumë gra.
Presidentja znj. Justinë njihet për profesionalizëm, por edhe më shumë njihet për fuqizimin dhe besimin që ka te gratë e te aftësitë e tyre. Sepse e tillë ka qenë vet tërë jetën. Prandaj, nëse e gjykoni politikisht pa i dhënë mundësinë dhe kohën e nevojshme ta fitojë besimin me vepra, gabimi është juaji.
p.s
Më shumë se një dekadë, foto e vitit 2016, nga vizita në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, në kohën kur po ushtroja përgjegjësitë si prodekane.






