Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për periudhën 21–25 shtator. Java do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona priten reshje të dobëta shiu.
Temperaturat do të shënojnë rënie nga e hëna deri të mërkurën, me minimume që do të zbresin deri në 3 gradë Celsius dhe maksimume deri në 19 gradë. Të enjten dhe të premten temperaturat do të rriten sërish, me maksimale deri në 22, përkatësisht 24 gradë Celsius.
Sipas IHMK-së, temperaturat më të ulëta do të ndihen veçanërisht gjatë mëngjeseve të së mërkurës, së enjtes dhe së premtes, duke sjellë freski më të theksuar për personat më të ndjeshëm ndaj të ftohtit.
Gjatë ditës, kushtet biometeorologjike pritet të jenë përgjithësisht të përshtatshme dhe pa ngarkesa të theksuara. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi në fillim të javës, ndërsa nga e enjtja do të jetë nga jugperëndimi, me shpejtësi deri në 6 metra në sekondë. /Gazeta Express





