Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali ka publikuar një pjesë nga fjalimi i Rexhep Selimit në Kuvendin e Kosovës, të mbajtur më 26 qershor 2015, gjatë debatit për themelimin e Gjykatës Speciale.
Në fjalimin e tij, Selimi kishte kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, duke argumentuar se kundërshtimi i tij nuk ishte kundër drejtësisë, por kundër asaj që ai e konsideronte padrejtësi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kosovës.
Selimi kishte paralajmëruar se themelimi i gjykatës mund të dëmtonte perceptimin për luftën e UÇK-së dhe për vetë shtetin e Kosovës.

“Prandaj, ne nuk mund ta njollosim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eventualisht mund ta njollosim vetveten”, kishte deklaruar Selimi.
Ai kishte kundërshtuar gjithashtu pretendimet e përfshira në raportin e Dick Marty dhe në raportet e mëvonshme hetimore, duke thënë se ato i ngarkonin UÇK-së përgjegjësi për veprime që ai i cilësonte si të padrejta.
Në fjalimin e tij, Selimi kishte kërkuar nga deputetët që të votonin kundër themelimit të Gjykatës Speciale.
“Prandaj, kërkoj edhe njëherë që vota kundër t’ju rreshtojë në anën e duhur, në anën e familjeve tuaja, bashkëluftëtarëve tuaj, në anën e dëshmorëve të lirisë, në anën e Kosovës”, kishte thënë ai.
Selimi kishte theksuar se deputetët duhej të merrnin parasysh edhe pasojat që vendimi i tyre mund të kishte për të ardhmen e Kosovës dhe brezat e ardhshëm.
Në fund të fjalimit, ai kishte përsëritur qëndrimin e tij se kundërshtimi ndaj Gjykatës Speciale ishte, sipas tij, “kundërshtim ndaj padrejtësisë, jo ndaj drejtësisë”.
Postim i plotë:
Paralajmërimi dhe kërkesa e Rexhep Selimit
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Nuk di parafolësja ime e ka harruar një letër këtu në foltore, ku thotë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër. Kolege, e ke harruar një fletë.
Unë do të filloj nga kjo. Nëse lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, pse paska nevojë ta pastrojmë?
Por, të nderuar deputetë, do të them edhe diçka. Nga parafolësit tjerë të cilët mbrojnë qëndrim të ndryshëm prej asaj çfarë do të duhej të mbronte një i zgjedhur i qytetarëve të këtij vendi, tha që në mes dy të këqijave, duhet ta zgjedhim të keqen më të vogël. Jo. Nuk kemi jemi ne këtu që të zgjedhim në mes një të keqe më të vogël apo një të keqe më të madhe. Në mes dy të këqijave për qytetarët, duhet t’i refuzojmë të dyja. Apo, keni harruar që ka edhe refuzim.
Por, meqë jemi sot në seancë, nuk mund të mos e përshkruajmë ose ta bëjmë një udhëpërshkrim, se si kemi ardhur deri te kjo seancë. Më lejoni t’ua kujtoj edhe njëherë. Deri te kjo seancë kemi ardhur nga pretendimet e Serbisë në vazhdimësi, se UÇK-ja është organizatë kriminele. Deri këtu kemi ardhur me vazhdimësi, pasi që Serbia gjithmonë i ka akuzuar shqiptarët si terroristë dhe këtë ju e dini shumë mirë. Madje, shumë prej jush këtu e në mesin e tyre edhe unë, jemi dënuar nga gjykata serbe për terrorizëm, sipas ligjeve të tyre. Po, deri këtu kemi ardhur edhe në bazë të pretendimeve të Dik Martit, të cilat shumë protagonistë si sot akoma nuk kanë vendosur se si ta votojnë këtë gjykatë, dikur e quanin si e keqja më e madhe e këtij vendi raportin e tij. E pas raportit të Dik Martit është ngritur edhe një kryeprokuror, është ngarkuar një prokuror, pra është ngritur një task-forcë hetimore speciale dhe është ngarkuar një kryeprokuror, i cili për ironi këtu del të jetë më transparenti, prokurori Uiliamson, i cili e bën shumë të qartë qëllimin e kësaj task-force.
Më lejoni t’i ndaj nja dy tre rreshta nga ky raport bashkë me ju, që ne të dimë pastaj se çka po votojmë. Ky prokuror në të gjeturat e tij i referohet raportit të Dik Martit, të cilin raport për asnjë herë nuk e mohon, raportet dhe pretendimet e të cilit ky i pohon e i çon edhe më tutje dhe ngarkon Ushtrinë Çlirimtare, me përgjegjësi, siç thotë ky, për fushatën e persekutimit që është drejtuar kundër popullsisë serbe, rome dhe pakicave tjera në Kosovë.
A kemi bërë ne si qytetarë, si Kosovë, si shqiptarë, një fushatë të tillë? Ai edhe më tepër e qartëson në mënyrë shumë transparente qëllimin për të cilin kërkohet vota jonë. Pas të gjeturave që ai u referohet, thotë: “Kjo në efekt rezultoi në spastrim etnik të sasive të mëdha të popullsisë serbe dhe rome nga ato rrethina në anën jugore të lumit Ibër në Kosovë”. Qe çka po kërkohet nga ne të votojmë dhe ta miratojmë.
Kam dëgjuar shpeshherë, që për ta kamufluar këtë çfarë kërkohet prej nesh, thuhet që këto pretendime nuk kanë të bëjnë me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi, me popullin shqiptar, por kanë të bëjnë diçka me individët, pra me individë të caktuar. Më lejoni, t’ua lexoj vetëm një paragraf të shkurtër nga ky raport, i cili e demanton këtë. Ai thotë: “Ne besojmë, se provat janë bindëse, që këto vepra nuk ishin vepra të individëve batakçinj që kanë vepruar me dëshirën e vetë, për përkundrazi, ato janë kryer në mënyrë të organizuar.” Qe çka kërkojnë prej nesh të votojmë.
Pra, ja disa nga arsyet, jo të vetmet, pse ne kundërshtojmë formimin e një gjykate të tillë dhe kundërshtimi ynë për një gjykatë të tillë, e theksojmë edhe njëherë, nuk është kundërshtim ndaj drejtësisë, por është kundërshtim ndaj padrejtësisë. E kjo çfarë këta po kërkojnë, është e padrejtë. Kjo gjykatë, pra, po kërkon t’ia ngarkojë Kosovës dhe qytetarëve të saj, në përgjithësi shqiptarëve, spastrimin etnik.
A kemi bërë ne spastrim etnik? Të gjithë ata që mendojnë që ne kemi bërë spastrim etnik, le ta votojnë. Por, ata që dinë se në Kosovë shqiptarët nuk kanë bërë spastrim etnik e aq më tepër, pas luftës, ku i referohet këtu në anën jugore të lumit Ibër, duhet të dimë se çfarë po veprojmë.
Në anën tjetër, duke ditur se kjo gjykatë po i referohet një spastrimi etnik që ka ndodhur pasluftës, atëherë edhe vetë shtetin e Kosovës e bën t’i ketë themelet mbi ndërmarrje dhe organizime kriminele, siç ata thonë këtu. Prandaj, nuk po e lëndojmë vetëm UÇK-në, aq më tepër njerëzit e UÇK-së, po e lëndojmë luftën tonë të drejtë, po e lëndojmë vendin tonë dhe mbi të gjitha, jo vetëm ne, po e lëndojmë edhe të ardhmen e këtij shteti dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, për shkak se ata do të rriten në një shtet, i cili sipas këtij raporti, i paska themelet në organizim të përbashkët kriminel. I paska themelet në spastrim etnik. A i ka ky shtet themelet në spastrim etnik? Thuaje me votën tuaj.
Po të isha unë njëri prej tyre, i cili eventualisht do të votoja për themelimin e kësaj gjykate, ju them se nuk kisha pasur çka lypi në Prekaz, më, as në Reçak, as në Orllan, as në Koshare. Nuk kisha pasur çka u them shokëve të mi të luftës. Nuk kisha pas çka u them, as fëmijëve të tyre. S’kisha pas mundësi dhe fuqi t’ua lëmoj flokët fëmijëve të dëshmorit, kur ti e bën një gjë të tillë për idealin e baballarëve të tyre.
Sa i përket, a është e pastër Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ose jo, është mirë që nuk është në dorën tonë, as në mundësinë tonë që ta njollosim. Ajo ka qenë luftë e pastër, mbi të gjitha ka qenë luftë e drejtë. Edhe po të donim, ne nuk mund ta njollosim atë. E shumta çfarë mund të bëjmë, mund ta njollosim emrin tonë me përcaktimin tonë, kundrejt kësaj lufte të drejtë kundrejt të tashmes, historisë dhe të së ardhmes së këtij vendi.
Pra, ne nuk mund ta njollosim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eventualisht mund ta njollosim vetveten. Por, meqë u përmend Adem Jashari, këtu, a ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend çfarë do të thoshte Adem Jashari po t’ia kërkonim një gjë të tillë, se ai po të ishte i gjallë, do të ishte njëri prej nesh, qoftë këtu, qoftë diku tjetër. Prandaj, nuk është mirë që përmes emrit të dëshmorëve, të Adem Jasharit, përmes fotografisë së dëshmorëve, të kërkojmë diçka që të bëjmë kundër idealit të tyre, kundër qëllimit të tyre e mbi të gjitha, kundër vendit për të cilin ata ranë.
Prandaj, prej nesh sot këtu vërtet kërkohet trimëri. Por jo, nuk kërkohet trimëri për ta shtrirë qafën, por kërkohet trimëri që t’i themi jo çfarëdo të keqe, qoftë e vogël, qoftë e madhe, që i vjen vendit tonë. Ne jemi të zgjedhur këtu për të bërë mirë, jo për të zgjedhur në mes një të keqeje dhe një të keqeje tjetër. Dhe, nëse duam të thirremi me respekt ndaj miqve, ne i respektojmë edhe miqtë, kur dimë të jemi dinjitoz. Nuk u duhemi gjë miqve, kur dimë të jemi të nënshtruar dhe të poshtëruar dhe të themi, pa pyetur fare pse, na kanë thënë ata, apo s’na kanë thënë ata.
Dua t’u them edhe një gjë tjetër, ka pasur momente historike, kur unë bashkë me shumë të tjerë, që qoftë janë këtu, qoftë janë prapa nesh, kemi ditur të themi jo, për të mirën e vendit. Kemi ditur t’i kundërshtojmë miqtë tanë, për të mirën e vendit, me të cilët pas një viti që kemi kundërshtuar, kemi qenë partnerë në luftë. Ju kujtohet shumë mirë edhe raporti i veprimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se si është cilësuar më ‘97, si më ’98 dhe si më ‘99. Miqtë tanë duan partnerë dinjitozë, jo partnerë të nënshtruar, të cilët as nuk pyesin për veprimet e veta, se çfarë duhet të bëjnë.
Dhe, në fund, zonja dhe zotërinj, të nderuar qytetarë, po besoj që ne jemi duke bërë një punë shumë të rëndësishme, sepse kjo seancë është ndër seancat më të rëndësishme, nëse jomë e rëndësishmja në mandatet tona, që jemi këtu si deputetë, qoftë në këtë mandat, qoftë në mandatet tjera. Këtu ndahemi, ata që votojnë për dhe ata që votojnë kundër. E në vartësi të votimit tonë, kur të kthehemi në shtëpi do të duhet të dimë, çfarë t’u themi bashkëluftëtarëve tanë, çfarë t’u themi fëmijëve tyre, çfarë t’u themi fëmijëve tanë dhe familjarëve tanë, tek e fundit, çfarë t’u themi edhe atyre fotografive, që i mbajmë në mur. Kur të kthehemi prej këtu, dijeni që në dorën tuaj, qoftë me të drejtë, qoftë padrejtësisht, është të vendosni jo vetëm për të kaluarën, jo për njerëzit, po për të tashmen dhe për të ardhmen e këtij vendi, do të vendosni për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë dhe ne nuk kemi të drejtë, as kushtetuese, as morale, as njerëzore, që të vendosim ndryshe prej interesave të vendit, ndryshe prej interesave të atdheut, ndryshe prej interesave të fëmijëve dhe familjeve tona.
Prandaj, kërkoj edhe njëherë që vota kundër t’ju rreshtojë në anën e duhur, në anën e familjeve tuaja, bashkëluftëtarëve tuaj, në anën e dëshmorëve të lirisë, në anën e Kosovës. Asnjë version tjetër nuk na shpie në asnjë lloj shpëtimi. Edhe njëherë, kundërshtimi jonë është kundërshtim ndaj padrejtësisë, jo ndaj drejtësisë dhe në mesin e dy të këqijave duhet t’i refuzojmë të dyja.
26 qershor 2015






