Pacolli: Krerët e UÇK-së mbrohen duke funksionalizuar institucionet

- Advertisement -

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se mënyra më e mirë për t’i mbrojtur krerët e UÇK-së në Hagë është funksionalizimi i institucioneve të Kosovës dhe puna e përbashkët në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës.

Pas zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe protestave, Pacolli ka thënë se krerët e UÇK-së në Hagë nuk po mbrohen, por po keqpërdoren për fushatë.

“E qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë, pa president e në fushatë zgjedhore? Kë po dojnë me e mbrojtë kështu? Se ata në Hagë, jo që nuk po i mbrojnë, por po i keqpërdorin për fushatë”, ka shkruar Pacolli.

Sipas saj, përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim i luftës për interesa të ngushta partiake.

“Ne kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate”, ka shkruar ajo.

“Mënyra më e mirë për t’i mbrojtur krerët e UÇK-së në Hagë është t’i funksionalizojmë institucionet e Kosovës dhe të punojmë bashkë në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte e drejtë dhe e pastër”, ka shkruar Pacolli.

Të ngjashme

Të fundit