Çitaku për Ligjin për Specialen: Kërkojmë mirëkuptim, procesi është në zhvillim

- Advertisement -

Vlora Çitaku, Ushtruese e Detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka dhënë përgjigje konkrete se çfarë po ndodh me Ligjin për Dhomat e Specializuara, në ditën e 11-të të kthimit të tij për rishqyrtim në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka-Pula.

Çitaku, në një përgjigje për VOX Kosova, tha se procesi i shqyrtimit të Ligjit “është në zhvillim”.

Presidentja e njoftoi vendimin për kthimin e ligjit më 22 tetor, pas kërkesës zyrtare të PDK-së, e cila është edhe hartuese dhe iniciuese e këtij ligji. Për kushtetutshmërinë e tij, ligji ishte kontestuar ende pa u miratuar, por PDK-ja insistonte që ta miratonte të tillë, ndërsa pas miratimit kërkoi kthimin e tij në Kuvend.

PDK nuk e kishte bërë të ditur se çka konkretisht duan që të përmirësojnë në këtë ligj. Përgjigje nuk dha as tani Çitaku, e cila kërkoi mirëkuptim në këtë fazë për këtë çështje.

“Po shqyrtohen rekomandimet profesionale dhe formulimet juridike, ndaj kërkojmë mirëkuptim që të mos veçojmë nene konkrete përpara shqyrtimit dhe dakordimit përfundimtar të tyre”, theksoi ajo për VOX-in.

Rikthimin, Çitaku pohoi se e kanë kërkuar për t’i adresuar rekomandimet profesionale të pranuara në fazën përfundimtare të miratimit, për të cilat theksoi se “atëherë nuk kishte kohë të mjaftueshme procedurale”. “Qëndrojmë plotësisht prapa qëllimit të ligjit dhe angazhimit për ta bërë atë më të plotë, më të zbatueshëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht, në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të çlirimtarëve tanë”.

Pas kthimit të Ligjit në Kuvend, Komisioni për Legjislacion ka 4 javë kohë që t’i procedojë rekomandimet për votim. E datë të caktuar për votimin në Kuvend, Çitaku tha se “ende nuk kemi”.

Ligji për Specialen ishte miratuar në Kuvend edhe me mbështetjen e Vetëvendosjes. Por, pas kthimit të tij, Kryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu, tha se nuk ka hapësira për ndryshime ligjore apo amendamente të tjera në Ligj.

“Nuk ka hapësira për të bërë ndryshime ligjore ose amendamente të tjera sepse këtë çështje e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim të mëhershëm”, tha Haxhiu më 23 tetor.

Përkundër kësaj, Çitaku beson se VV-ja do ta mbështesë ligjin sërish në rishqyrtim.

“Sa i përket LVV-së, ajo e ka votuar ligjin në të dyja shqyrtimet. Besojmë që ata do të kontribuojnë edhe gjatë rishqyrtimit dhe ta mbështesin sërish këtë ligj. Ne kemi diskutime me të gjithë akterët politik dhe presim që brenda afateve të përcaktuara ligji të kalojë sërish”, potencoi.

Kjo, sipas saj, është “përgjegjësi e përbashkët institucionale tashmë: ligji është iniciuar nga PDK-ja, por është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. “Tashmë është ligj i Kuvendit”.

Pritjet e PDK-së, që i tregoi Çitaku përmes VOX-it, janë që “të gjitha subjektet parlamentare ta trajtojnë me përgjegjësinë që kërkon kjo çështje dhe të kontribuojnë në votimin e këtij ligji tejet të rëndësishëm për mbrojtën e historisë, së tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë”.

Kuvendi e miratoi Ligjin për Specialen në mbrëmjen e 6 tetorit me 88 vota pro, pa asnjë kundër dhe pa abstenime, një ditë pasi e kishte kaluar në lexim të parë me 91 vota. Votimi u bë në seancë të jashtëzakonshme, pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së që menjëherë pas tij të zgjidhej Presidenti. Shiroka-Pula u zgjodh pak minuta më pas.

Nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Specialen u dorëzua më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.

Ligji i ri për Dhomat e Specializuara që u miratua nga Kuvendi e u kthye për rishqyrtim nga Presidentja, ndër të tjera parasheh ngushtimin e juridiksionit të Speciales vetëm në veprat që lidhen me trafikimin dhe nxjerrjen e organeve njerëzore, shkurtimin e periudhës kohore të mandatit nga 1998 në korrik të vitit 1999, uljen e dënimit maksimal nga burgimi i përjetshëm në 15 vjet, transferimin në Kosovë të rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e saj, vuajtjen e dënimeve në institucionet korrektuese të Kosovës dhe mundësinë e faljes individuale nga Presidenti.

Të ngjashme

Të fundit