Qeveria e Kosovës kujton 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit

- Advertisement -

Qeveria e Republikës së Kosovës ka kujtuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit.

Në një njoftim për media, ekzekutivi kosovar ka nderuar veprën e atdhetarëve dhe intelektualëve që e bënë alfabetin e përbashkët të shqipes themel të përbashkimit kombëtar dhe të përparimit arsimor e kulturor.

“Me mirënjohje kujtojmë Mithat Frashërin, kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën, kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën, Gjergj Qiriazin dhe delegatët e tjerë. Nderojmë përkushtimin e Sevastie Qiriazit e të familjes Qiriazi, punën e klubit «Bashkimi» të Manastirit dhe të shoqërive e klubeve shqiptare që mundësuan këtë vepër historike.”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kongresi dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë.

“Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre. Përgjegjësia jonë është ta vazhdojmë këtë punë me arsim publik cilësor, me mbështetje për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, me ngritje të mësimdhënies e mësimnxënies, me kujdes për shqipen në institucione dhe me mundësi të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë. Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez. Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, thuhet në urimin e Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit