Zbulohen bustet e Skënderbeut, Adem Jasharit dhe Pjetër Bogdanit në Llapushnik

- Advertisement -

Sot u mbajt akademi përkujtimore në Llapushnik të Drenasit, me rastin e vendosjes së busteve të tri figurave të rëndësishme të historisë shqiptare Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit.

Me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se zbulimi i këtyre busteve të figurave të rëndësishme të historisë shqiptare e bën komunën e tyre edhe më të bukur para festës së madhe të 28 Nëntorit.

“Zbulimi i busteve është nderim për të gjithë shqiptarët. Sot, zbulojmë dhe nderojmë tri personalitete me të cilat historia e popullit shqiptar është me vlera të pashlyera dhe të pashmangshme…​ Në këtë ditë nëntori, komuna jonë bëhet më e pasur dhe më e bukur me këto tri buste, të cilat përfaqësojnë vlera”, tha Lladrovci.

Postimi i Lladrovcit:

Me rastin e Manifestimit dhe zbulimit të tri busteve, të Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit në oborin e Kishës Shën Abrahami në Llapushnik, mbajta këtë fjalë rasti:

Jam i nderuar t’ju përshëndes, nga këtu, kësaj pike strategjike të komunës në zemrën e Kosovës,

Dua t’ju përgëzoj për këtë angazhim Dom Anton, për këtë përkushtim me vlerë brenda muajit Nëntor, muajit të kombit tonë.

Dua t’ju uroj juve dhe besimtarët e Kishës Shën Abrahami për këtë manifestim të jashtëzakonshëm.

Zbulimi i busteve është nderim për të gjithë shqiptarët, sot së bashku, nderojmë tri personalitete me të cilat historia e kombit shqiptar është me vlera brenda kombeve të qytetëruara.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është ndër personalitetet më universale kur bëhet fjalë për lirinë, model në histori duke filluar nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 20-të. Ishte shembull i trimërisë, mençurisë dhe guximit për liri në Evropë dhe gjithandej ku popujt e vegjël e synojnë lirinë. Andaj, sot e përgjithmonë, mbetet hero yni kombëtar, model për çdo atdhetar, njëherësh model për çdo burrështetas global.

Për rëndësinë e Pjetër Bogdanit në kulturën tonë, besoj flasin studiuesit këtu, vepra e tij e pavdekshme „Çeta e profetëve“, është margaritar i mendimit shqiptar. Dua ta theksoj një veçori tjetër të tij, angazhimin bashkë me rreth 20 mijë shqiptarë krah habsburgasve për çlirim nga Preandoria otomane. Ai u angazhua krah Austro-hungarisë që në fillim të shekullit të 20-të e bindi Evropën se ka komb shqiptar dhe ka Shqipëri. Pjetër Bogdani ashtu si gjeneral Pikolomini, pësoi nga mortaja, por, mesazhi i tij do t’i rezistojë shekujve.

Për Komandantin legjendar Adem Jasharin, të cilin e kisha shok, mik e bashkëluftëtar, do të flas edhe më shkurt. Ai me heroizmin e paparë i doli me shokë përballë makinerisë vrastare serbe dhe si askush në histori i tha jo okupimit të Serbisë. Ai i hapi portat e lirisë së Kosovës. Ai dëshmoi se liria është më e çmuar se jeta e tij dhe e familjarëve. Adem Jashari, bashkë me Skënderbeun dhe Pjetër Bogdanin, nga kjo pikë strategjike, përjetësisht do t’i japin mesazh çdo miku e armiku se kombi shqiptar e do lirinë më shumë se jetën dhe për këtë është gati të bëj sakrificën.

Të nderuar të pranishëm,

Këtu, në këtë oborr, gjendet edhe shtatorja e shenjtores Nënë Tereza, e cila me humanizmin e saj dëshmoi se cili ishte shpirti ynë nacional në botën ku po sundon pabarazia. Ajo dëshmoi se mirësia e madhe gjendet edhe te popujt e vegjël, si populli shqiptar.

Në këtë ditë nëntori, komuna jonë bëhet më e pasur dhe më e bukur me këto tri buste të cilat përfaqësojnë vlera që zënë vend nderi në kulturën dhe historinë tonë kombëtare: dijen dhe arsimin, humanizmin dhe dashurinë për njeriun, dëshmojnë trimërinë, qëndresën e vetëmohimin.

Na takon të gjithëve që t’i ruajmë, t’i kultivojmë e respektojmë këto vlera dhe t’i nderojmë ata që kontribuuan në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Të nderuar të pranishëm,
I dashur Dom Anton,

Komuna e Drenasit e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm për çlirim në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çmon dhe vlerëson lart çdo aktivitet që i shërben ruajtjes dhe kultivimit të vlerave, të kulturës dhe të traditës kombëtare dhe shprehim mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan që ne sot të jemi bashkë në këtë ngjarje madhështore.

Urime!

Të ngjashme

Të fundit