Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare mujore për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin qershor 2026.
Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë qershorit janë regjistruar 2 mijë e 674 lindje, prej tyre 1 mijë e 399 meshkuj dhe 1 mijë e 275 femra.
Në krahasim me muajin maj, numri i lindjeve në qershor është rritur për 14.9 për qind.
Sa i përket vdekjeve, gjatë qershorit janë regjistruar gjithsej 920 raste, brenda dhe jashtë Kosovës.
Nga ky numër, 494 janë meshkuj dhe 426 femra.
Krahasuar me majin, numri i vdekjeve në qershor është rritur për 5.6 për qind.
Ndërkohë, gjatë muajit qershor janë regjistruar 1 mijë e 279 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës.
Ky numër paraqet një rritje prej 23.3 për qind krahasuar me muajin maj.
Ndërsa sa u përket shkurorëzimeve, në qershor janë regjistruar 147 raste në Kosovë.
Sipas ASK-së, krahasuar me muajin paraprak, numri i shkurorëzimeve është rritur për 25.6 për qind.






